Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, ka fituar në Rumani ndaj skuadrës së madhe Minaur Baia Mare, por është eliminuar nga Kupa Evropiane.
“Vreshtarët” të shtunën fituan me rezultatin 40:35 ndaj skuadrës së njohur rumune, por kjo fitore nuk u ka mjaftuar për të avancuar në raundin e katërt të EHF European Cup.
Ishte ndeshja kthyese e raundit të tretë të nivelit të tretë të garave kontinentale. Vendimtar për eliminimin e kampionit kosovar ishte humbja 38:31 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, të shtunën e kaluar.
Në ndeshjen në Rumani më efikasi te Rahoveci ishte Victor Alonso Garcia me 10 gola në 15 tentime. Gjashtë prej golave i shënoi nga penalltia.
Me shtatë gola u dallua Arbios Mushkolaj. Gjashtë gola i pati Jon Muqolli, Egzon Gjuka pesë, kurse me nga katër gola kontribuuan Mali Luzha dhe Jeton Bislimi. Alban Haziri realizoi tri herë, ndërsa Adonit Isufi e pati një gol të shënuar.
Në portë, Arbër Curri priti tetë nga 32 tentime të kundërshtarëve, kurse Arti Luzha pati dy pritje nga 13 tentime.
Te skuadra rumune u dallua Tudor Botea me tetë gola në 11 gjuajtje.
Mysafirët prej minutës së dytë kur shënoi Arbios Mushkolaj për 2:1, ishin në epërsi për kohë të gjatë. Rezultati u barazua në minutën e 21-të në 13:13, ndërsa pjesa e parë u mbyll 19:19. Fillimi i pjesës së dytë i takoi skuadrës rumune, por Rahoveci shpejtë u kthye me mbrojte të fortë e sulm efikas.
Pati edhe epërsi prej pesë golave 33:28, por nuk arriti që të shkëputej më shumë se kaq.
Rahovecit i duhej fitorja me shtatë e më shumë gola dallim për të avancuar tutje. Fitoi me vetëm pesë gola dallim, por paraqitja ndaj ekipit me përvojë në këtë garë është vlerësuar shumë pozitive.
Për Rahovecin është hera e dytë që paraqitet në garat kontinentale dhe ishte i vetmi ekip nga Kosova që kishte mbetur në garat ndërkombëtare në këtë edicion.
Në raundin e dytë e eliminoi Bocholtin e Belgjikës. Kështu raundi i tretë mbetet ende i pakalueshëm për skuadrat kosovare të hendbollit.