Sporte të tjera

Rahoveci e Besa Famgasi gati për ndeshjet ndërkombëtare

hendboll

KH Rahoveci në edicionin e fundit në elitën e hendbollit kosovar shkroi historinë duke e fituar titullin e parë e duke triumfuar në Superkupë. Zhvilluan shumë ndeshje të forta. Por duel dukshëm më të vështirë, “vreshtarët” do të kenë të shtunën nga ora 20:15 në Bocholt të Belgjikës. Hendbollistët e skuadrës rahovecase do të përballen me skuadrën belge, Sezoens Achilles Bocholt, në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane.

Te klubi i Rahovecit thonë se janë përgatitur mjaftueshëm për t’u ballafaquar me hendbollistët e ekipit belg. Dhe natyrisht, synimi është i qartë – avancimi në raundin e tretë.

“Gjatë këtyre dy javëve kemi pasur mundësinë t’i shikojmë ndeshjet që i ka zhvilluar ekipi kundërshtar. E kemi analizuar mjaftueshëm mirë. Fokusi i skuadrës në këto dy javë ka qenë vetëm te kjo lojë. Për fat të mirë të gjithë lojtarët janë në formë të mirë fizike dhe nuk kemi lëndime”, ka thënë Egzon Gjuka të premten për KOHËN.

Gjuka është njëri prej lojtarëve me më së shumti eksperiencë te Rahoveci. Ai synon që eksperiencën e marrë edhe në të kaluarën në garat evropiane, bashkë me hendbollistët e tjerë cilësorë, ta shfrytëzojnë për të marrë rezultat sa më të mirë.

“Jemi maksimalisht të gatshëm që ta japim më të mirën në këto dy ndeshje, me të vetmin qëllim, kualifikimin në raundin tjetër. Kemi ekip mjaftë cilësor. Jemi edhe lojtarë me eksperiencë në garat evropiane”, ka thënë Gjuka.

Për Rahovecin është vetëm paraqitja e dytë në garat evropiane. Para dy vitesh luajti ndaj skuadrës çeke, Karvina. Por humbi me rezultat të ngushtë dhe nuk arriti që të avancojë tutje.

Megjithatë, Gjuka beson fuqishëm se do ta përfaqësojnë Kosovën sa më mirë që është e mundur në skenën evropiane.

“Në këto gara evropiane ne paraqitemi si kampion i Kosovës. Pra kemi mbi vete edhe përgjegjësi, pasi përveç që e përfaqësojmë klubin e Rahovecit në këto gara, jemi edhe përfaqësues të shtetit tonë”, ka deklaruar ai.

Rahoveci e ka nisur mirë kampanjën e re të elitës së hendbollit kosovar.

Në pesë ndeshjet e para ka po aq fitore dhe prinë në tabelë me dhjetë pikë. Në vendin e dytë është Besa Famgas, që ka katër fitore e një humbje.

Edhe skuadra pejane do të luajë në rrethin e dytë të Kupës Evropiane.

Besa Famgas debutoi në Evropë me ndeshjen ndaj Bevo Panningenit të Holandës më 3 shtator të vitit 2005.

Ky do të jetë edicioni i 19-të për Besa Famgasin në garën kontinentale për hendbollistë. Pra, klubi pejan ka munguar vetëm një herë në garat evropiane.

Besa Famgas luan ndaj skuadrës çeke, Mesto Lovosice. Ndeshja nis në orën 17:00.

Të dyja skuadrat kosovar ndeshjet kthyese i luajnë pas një jave në shtëpi, përkatësisht në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, dhe në palestrën “Karagaçi” në Pejë.