Të suspenduar nga FIBA

Prokuroria nis hetimet për rastin me arbritrat grekë të basketbollit

Gjyqtarët grekë

Gjyqtarët grekë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për rastin me gjyqtarët grekë të basketbollit. Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka dhënë shumë detaje, por ka pohuar se rasti është në procedurë hetimore pas kallëzimit penal që Policia e Kosovës në fillim të muajit shkurt ushtroi ndaj një personi që pretendohet se pati tentuar t'i korruptonte dy gjyqtarët grekë të basketbollit, Dimitros Zacharis dhe Anastasios Kardaris për kurdisje të ndeshjes gjysmëfinale të plejofit Sigal Prishtina - Trepça, e zhvilluar në prill të vitit 2023.

"Rasti në fjalë ndodhet në procedurë hetimore", thuhet në përgjigjen me shkrim për KOHËN nga Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

KOHA pati mësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ishte takuar me dy gjyqtarët e basketbollit në mesnatën e 20 prillit me qëllim që ata ta ndihmojnë Trepçën. I dyshuari, sipas burimeve, nuk është pjesë e klubeve të basketbollit.

Para se të caktoheshin për të ndarë drejtësi në ndeshjen Sigal Prishtina – Trepça, dy gjyqtarët grekë dhe një gjyqtar kosovar i basketbollit drejtuan ndeshjen ndërmjet Pejës e Yllit.

Nga Federata e Basketbollit e Kosovës patën pranuar se gjyqtarët kishin takim të paautorizuar me një person dhe për këtë i ndryshuan ata. Kishte dyshime se oferta ishte bërë edhe për përfitime ilegale përmes bastoreve.

Sigal Prishtina pati pretenduar se zbuloi skandalin më të madh në histori të basketbollit kosovar dhe se e ka parandaluar dëmin e madh sportiv.

Prishtina pati shkruar se posedon incizime se një person ka futur në veturën e tij gjyqtarët grekë dhe u ka ofruar ryshfet për manipulim të ndeshjes në favor të Trepçës. Sipas Prishtinës, gjyqtarët grekë e kanë pranuar ngjarjen.

Pas zhvillimeve, Kardaris e Zacharis u kthyen në vendin e tyre dhe ndeshjen në Prishtinë e drejtuan tre gjyqtarë vendorë.

Me deklaratë pati dalë edhe Trepça duke mohuar fuqishëm përfshirjen.

Me t’u kthyer në vendlindje, gjyqtarët grekë patën kërkuar pushim për shkak të stresit, përkatësisht për shkak të rastit në Kosovë.

Rasti ka mbetur disi në harresë, por tani ka punë për prokurorinë.

Javë më parë, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) i ka suspenduar dy grekët. Ata nuk kanë të drejtë të referojnë deri më 31 tetor të këtij viti. Ata janë pezulluar për kryerje të funksionit në bazë të Kodit të Etikës dhe Integritetit. Janë dënuar për “mosraportim”.

Vitin e kaluar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari i basketbollit Daut Mehmeti ishin arrestuar me akuzën se ishin të përfshirë në rregullimin e ndeshjeve të basketbollit. Por u liruan shpejt. Arbitri Daut Mehmeti është i suspenduar përjetë nga FIBA, ndërsa Rifati vazhdon të ushtrojë funksion në klubin e basketbollit, Proton Cable Prizreni.