Palestra “Karagaçi” në Pejë do të jetë arenë e ndeshjeve të forta të hendbollit. Të shtunën e të dielën në Pejë mbahet turneu final i Kupës së Kosovës.
Të shtunën janë katër ndeshje gjysmëfinale, ndërsa e diela është e rezervuar për dy finalet.
Vushtrria – Istogu është gjysmëfinalja e parë te hendbollistet, që zhvillohet prej orës 14:00. Istogu i fitoi tre trofetë e vitit të kaluar dhe llogaritet favorit ndaj Vushtrrisë. Derisa Istogu ka në përbërje shumë lojtare të huaja, Vushtrria ka vetëm lojtare të vendit.
Ferizaj – Samadrexha është gjysmëfinalja e dytë e hendbollisteve. Fillon në orën 16:00.
Ferizaj aktualisht është lider i klasifikimit në Superligë dhe synon t’i japë fund dominimit të Istogut. Ferizaj në plejof do të startojë nga pozita e parë, por fillimisht synon Kupën e Kosovës.
Synime të njëjta ka edhe Samadrexha, që falë hendbollisteve të shumta të huaja, është prej tri skuadrave kryesore në vend. Në fakt edhe Ferizaj bazohet shumë në lojtaret e huaja dhe ato pritet ta vendosin këtë gjysmëfinale.
“Ekipi ynë është duke punuar intensivisht që nga janari. Kemi synime të qarta. Jemi të bashkuara dhe të motivuara që ky vit të jetë shumë i suksesshëm për ne. Jemi të gatshme të kalojmë gjysmëfinalen dhe me sukses në finale t’i përmbyllim qëllimet tona. Duam që Kupa të na shoqërojë rrugës për në Ferizaj”, ka thënë Aida Stagova, kapitene e Ferizajt.
Hendbollistja nga Tunizia, Jihen Ben Hrouz, është kapitene e Samadrexhës. Samadrexha dikur ishte fshat i njohur për nxjerrjen e hendbollisteve cilësore. Tani fjalën kryesore edhe në Samadrexhë e kanë të huajat.
“’Final 4’ do të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme për tifozët e hendbollit në Kosovë. Katër ekipet e kualifikuara kanë dëshmuar se janë ekipet më të mira këtë stinor. Ne do të mbrojmë ngjyrat e ekipit tonë, KHF Samadrexha, deri në fund. Jemi përgatitur si duhet, në atmosferë të mirë dhe shpresojmë të prezantojmë nivel të mirë të hendbollit për tifozët në Pejë. Dhe në fund le të fitojë më i miri”, ka thënë Ben Hrouz.
Gjysmëfinalja e parë e hendbollistëve është mes Trepçës dhe Kastriotit. Fillon në orën 18:00. Trepça është fituese në fuqi e Kupës. Vjet në finalen shumë dramatike, të vendosur me penallti, kishte mposhtur Besën.
Mitrovicasit shpresojnë në tjetër befasi. Por, fillimisht duhet ta eliminojnë Kastriotin, që në janar mori shumicën e lojtarëve startues të Trepçës.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht. Do të japim 100 për qind nga vetja që t’i gëzojmë tifozët tanë, ashtu si bëmë një vit më parë. Është turneu final dhe nuk do të jetë lehtë. Janë katër skuadrat kryesore në garë. Por shpresojmë të mbrojnë kupën e fituar. Fillimisht i gjithë fokusi është te gjysmëfinalja e së shtunës”, ka theksuar pivoti Sali Maxhera, që është kapiten i Trepçës.
Synime të mëdha nga turneu i Kupës ka Kastrioti i Ferizajt. Ferizajasit në plejof do të startojnë nga pozita e tretë, ndërsa Trepça nga e katërta.
“Turneu final i Kupës është moment emocionues për ne. Synimi ynë është i qartë – të fitojmë këtë kupë dhe ta sjellim në shtëpinë tonë. Gjendja e ekipit është e shkëlqyer”, thotë kapiteni i Kastriotit, Rron Ramadani.
Ndeshja më e fortë gjysmëfinale pritet të jetë ajo mes Rahovecit dhe Besa Famgasit. Kjo ndeshje fillon në orën 20:00.
Rahoveci e Besa kanë zhvilluar katër ndeshje shumë të forta këtë edicion, të vendosura në aksionet e fundit. Tri i fitoi Rahoveci e një Besa.
Në turneun e Kupës, Besa Famgas do ta ketë përparësinë e terrenit. Por te Rahoveci, pas investimeve të mëdha dhe organizimit, janë të përkushtuar të fitojnë trofeun e parë në histori.
“Po përgatitemi maksimalisht dhe do të angazhohemi për çdo top e në çdo cep të parketit për ta sjellë trofeun e parë në Rahovec”, ka thënë Ardian Osa, kapiten i “vreshtarëve”. Ai ka folur me respekt për të tri ekipet e tjera që janë pjesë e turneut final të Kupës.
Besa vjet e humbi kupën, por vazhdoi me tituj kampioni. Tani synon ta kthejë Kupën e më pas ta “sulmojë” edhe titullin e kampionit.
“Presim që pas disfatës nga Trepça vitin e kaluar në finale të kthejmë trofeun në Pejë, sidomos pasi që ngjarja mbahet në ’Karagaçi’. Jemi tejet të motivuar që ta shpërblejmë publikun me një trofe. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe atmosfera në ekip është shumë e mirë”, ka thënë portieri Mursel Mehmeti, që është kapiten i Besa Famgas.
Finalja e hendbollisteve është nga ora 15:00, ndërsa e hendbollistëve nga ora 17:30.