Paris, 27 gusht (insidethegames) – Jodie Grinham e Britanisë së Madhe do të garojë në shigjetari në Lojërat Paralimpike në Paris, që nisin të mërkurën. Grinham do të paraqitet të dielën, më 1 shtator, në “Esplandae Des Invalides”, ndërsa është në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Garuesja në skermë nga Egjipti, Nadar Hafez, u bë pjesë e një rrëfimi të jashtëzakonshëm të forcës dhe vendosmërisë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, kur njoftoi se kishte garuar derisa ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Në Lojërat Paralimpike rrëfimet frymëzuese janë të shumta, ndërsa ai i Grinhamit është prej më të veçantëve.
Jodie Grinham lindi me krahun e majtë më të shkurtër dhe pa gishta në dorën e majtë. Ajo do të garojë në garën individuale të gjuajtjes me hark. Britanikja është në pritje të fëmijës së dytë të saj.
Për të është paraqitja e dytë në Lojëra Paralimpike. Tetë vjet më parë fitoi medaljen e argjendtë së bashku me John Stubbs, në garën ekipore mikse.
31-vjeçarja është nga Uellsi, ndërsa nisi të gjuaj me hark kur ishte 14-vjeçare, ndonëse mjekët i thanë se nuk do të mund të merrej me këtë sport për shkak të paaftësisë së saj.
Grinham dhe babai i saj u angazhuar për të gjetur një zgjidhje. Pasi eksperimentuan në mënyra të ndryshme për ta ndihmuar atë të mbante harkun, ishin në gjendje të gjenin një prodhues që bëri një dorezë të specializuar harku, që përshtatej me dorën e Grinhamit.
Ajo nuk ka dashur të lejonte që shtatzënia ta mbante jashtë Lojërave Paralimpike, ngjarjen kryesore sportive për personat me aftësi të kufizuar. Lojërat Paralimpike fillojnë të mërkurën në Paris, ndërsa mbahen në arenat ku deri dy javë më parë u mbajtën Lojërat Olimpike.
Mbi 4400 paralimpistë do të garojnë në Paris.
Grinham ka përjetuar tri aborte gjatë përpjekjeve për t’i dhënë djalit të saj, Christianit, një vëlla.
“Ne vendosëm se nuk do të lejojmë Lojërat të na ndalojnë zgjerimin e familjes”, ka thënë Grinham për “The Athletic”.
“Ne nuk e dinim nëse do të kemi mundësi të kemi një fëmijë tjetër. Kjo mund të mos ndodhë asnjëherë më për ne. Mbetja shtatzënë nuk është aq e lehtë sa e mendojnë disa njerëz. Nuk është aq e thjeshtë”, ka shtuar paralimpistja.
Ajo ka treguar se Christiani lindi para kohës, në javën e 28-të, dhe u vendos në inkubator, derisa kishte “verdhëz të rëndë”.
“Nuk arrita ta mbaja atë në duar në 10 ditët e para. Ishte i vendosur nën pak dritë në një kuti të vogël dhe kjo ishte zemërthyese”, tha Grinham.
Mjekët janë të shqetësuar se ka gjasa që ana e majtë e trupit të Grinhamit mos të jetë në gjendje të mbajë peshën e foshnjës. Kjo do të thotë që ajo mund të lindë sërish para kohe. Por shigjetarja është e vendosur.
“Ekipi im është talluar disa herë që ujërat e mia thjeshtë mund të shpërthejnë në podium. Kjo do të ishte diçka tjetër. Isha e vetëdijshme se mund të mos arrija në këto Lojëra nëse do të kisha të njëjtat probleme si në shtatzëninë e kaluar. Por kam vendosur për familje dhe për karrierë. Dua të jem në gjendje t’i bëj të dyja”, ka thënë Jodie Grinham.