Olimpistja nga Uganda, Rebecca Cheptegei, ka vdekur në spital si pasojë e plagëve që mori pasi u dogj nga ish i dashuri, raporton “Daily Mail”.
Maratonistja 33-vjeçare ishte spërkatur me benzinë nga ish i dashuri dhe më pas ishte djegur. 80 për qind e trupit të saj u dogj në sulmin brutal. Ajo u dërgua me nxitim në spitalin Moi Teaching & Referral në Eldoret të Kenias, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
“Për fat të keq ne e humbëm atë pasi të gjitha organet i dështuan mbrëmë”, ka thënë drejtori i spitalit Owen Menach për “The Star” të Kenias të enjten në mëngjes.
Cheptegei ishte kthyer në Kenia pasi kishte garuar në Lojërat Olimpike të Parisit këtë vit. Ajo përfaqësoi Ugandan.
Komandanti i Policisë i Trans Nzoia County, Jeremiah ole Kosiom, ka thënë se ish i dashuri i saj Dickson Ndiema, e kishte sulmuar atë pas një mosmarrëveshje të dielën. Ajo u sulmua në shtëpi pasi u kthye nga kisha.
Babai i saj Joseph Cheptegei tha se ata kishin pasur një mosmarrëveshje për shkak të tokës së atletes në Endebes në Trans Nzoia.
“Ata ishin vetëm miq dhe nuk e kuptoj pse ai u mundua t’ia merrte gjërat vajzës sime”, ka thënë Joseph, ndërsa ka treguar se dy fëmijët e vajzës së saj kanë një baba tjetër që jeton në Ugandë.
Sipas, Policisë ish i dashuri i saj po ashtu është duke u trajtuar në spital me 30 për qind djegie të trupit.