Suksesi në ndeshjen e parë ka trimëruar Kastriotin e Ferizajt para sfidës vendimtare me Sllobodën e Tuzllës.
Slloboda e Kastrioti takohen të dielën nga ora 18:00 në palestrën "Mejdan” në Tuzëll të Bosnjë-Hercegovinës. Është ndeshja e kthimit e rundit të parë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale për klube të hendbollit, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropiane. Për skuadrat kosovare kalimi i një kundërshtari në Kupën Evropiane vlerësohet sukses.
Ndeshjen e parë, të luajtur të shtunën e kaluar në Ferizaj, Kastrioti e fitoi me një gol dallim, 30:29. Ai rezultat bën që sfida e dytë të jetë plotësisht e hapur. Skuadra boshnjake synon ta përmbysë rezultatin, ndërsa Kastrioti ta mbajë epërsinë.
Ferizajasit, që janë fitues në fuqi të Kupës së Kosovës, të shtunën kanë arritur në Tuzëll. Kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen për të cilën janë të vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë.
“Gjatë javës kemi analizuar ndeshjen e parë dhe jemi përgatitur maksimalisht që të mos i përsërisim gabimet që na u shfaqën. Kemi pasur lëshime sidomos në 15 minutat e parë. Nuk do të jetë lehtë, duke ditur se kemi vetëm një gol avantazh ndaj kundërshtarit. Por jemi të bindur se me angazhim maksimal deri në sekondat e fundit, ashtu si në ndeshjen e parë, do të arrijmë që të kualifikohemi tutje”, ka thënë të shtunën për KOHËN, Vlerson Zherka, qendra kryesore e Kastriotit.
Te Slloboda presin përkrahje të madhe nga shikuesit. Po ashtu janë optimistë për kualifikim në raundin e dytë të Kupës Evropiane.
“Për ne është ndeshja e tretë në shtatë ditë. Lëndimet në skuadër janë rrethanë rënduese, por jemi optimistë. Atmosfera në zhveshtore është shumë e mirë, jam shumë i lumtur si punojnë djemtë nga dita e parë. Përparësi e kundërshtarit është përvoja. Rivalët kanë dukshëm më tepër përvojë se ne dhe këtë e dëshmuan në Ferizaj. Ia dolën të kthehen nga minus tetë gola”, ka thënë trajneri i Sllobodës, Mirko Mikiq.
Pos Kastriotit në gara evropiane paraqiten edhe pesë skuadra të tjera kosovare të hendbollit. Rahoveci dhe Besa Famgas te hendbollistët dhe Istogu, Ferizaj e Samadrexha te hendbollistet, ndeshjet evropiane i luajnë më vonë.
Jo shpesh skuadrat kosovare të hendbollit kalojnë kundërshtarë në gara kontinentale, ndonëse tashmë kanë përvojë prej gati dy dekadash. Kalimi i kundërshtarëve evropianë është sfidë e madhe edhe në futboll, basketboll e volejboll.