Loic Meillard e ka fituar medaljen e fundit të artë në Kampionatin Botëror të skijimit alpin.
Botërori përfundoi të dielën në Saalbach të Austrisë, ndërsa zvicerani Meillard e fitoi të artën në disiplinën e sllallomit. Ai fitoi me kohë prej 1 minutë, 54 sekonda e dy të qindtat, pas dy lëshimeve. Norvegjezi Atle Lie McGFrath ishte i dyti, ndërsa mbeti 26 të qindtat prapa fituesit.
Në podium zuri vend edhe gjermani Linus Strasser, që mbeti 52 të qindtat prapa zviceranit Meillard.
Të dy lëshimet i përfunduan 44 skitarë.
Francezi Clement Noel ishte i pari pas lëshimit të parë, por doli nga shtegu në lëshimin e dytë.
Meillard është bërë zvicerani i parë në 75 vjetët e fundit që fitoi të artën botërore në sllallom. Georges Schneider e kishte fituar të artën në sllallom në vitin 1950.
Zvicra është vendi më i suksesshëm në Botëror me pesë të arta dhe 13 medalje gjithsej. Austria renditet e dyta me dy të arta nga shtatë medalje gjithsej.
Nga dy të arta i fituan edhe Italia e SHBA-ja.