Sporte të tjera

Lojtarja e Kosovës në klubin e Ligës së Kampionëve

Mirela Gjikokaj

Pas përvojës shumëvjeçare në elitën e Norvegjisë dhe te përfaqësuesja e Kosovës, hendbollistja Mirela Gjikokaj vendosi t’i japë fund karrierës. 25-vjeçarja nuk ka luajtur që nga fundi i edicionit të kaluar, përkatësisht nga pranvera e hershme e këtij viti.

Por rrethanat e krijuara në njërin prej klubeve më të mëdha të Norvegjisë bënë që Mirela t’i kthehet lojës së hendbollit. Pra ta vazhdojë karrierën.

Të premten, klubi i Ligës së Kampionëve, Storhamar, njoftoi se hendbollistja Tonje Enkerud është shtatzënë. 30-vjeçarja më nuk do të luajë këtë edicion.

Dhe Storhamari menjëherë gjeti zëvendësuesen - Mirela Gjikokajn. Ajo ka firmosur tashmë, ndërsa të dielën i bashkohet Storhamarit. Të hënën paraqitet në stërvitjen e parë me bashkëlojtaret e reja.

Trajneri i Storhamarit, Kenneth Gabrielsen e ka përcjellë Gjikokajn për kohë të gjatë. Hendbollistja me prejardhje nga Deçani luan në pozitën e bekut të majtë, ndërsa trajneri Gabrielsen vlerëson se ajo jep kontribut në sulm e në mbrojtje.

“Mirela ishte në listën tonë të opsioneve më parë. Kur Tonje e dha lajmin e gëzuar, e kam kontaktuar Mirelën menjëherë. Mendoj se kemi arritur marrëveshje për më pak se 24 orë. Mendoj se kemi bërë firmosje të rëndësishme. Është lojtare e tipit fitues, që jemi të lumtur që do ta kemi në ekipin tonë. Kam një besim të madh se do të jetë lëvizje shumë e mirë. Natyrisht, ka kaluar kohë prej se ajo ka luajtur së fundi, por mendoj se do të funksionojë për kohë të shkurtër”, ka thënë Gabrielsen për sajtin zyrtar të Storhamarit.

Gjikokaj është rritur dhe zhvilluar në sistemin norvegjez të hendbollit. Ka luajtur shumë vjet në ligën elitare norvegjeze për skuadrën Follo. Tani do të jetë në skuadër dukshëm më të madhe.

Më 29 dhjetor,  Storhamari luan në finale të Kupës së Norvegjisë ndaj Tertnesit. Mund të jetë ndeshje debutuese për kosovaren. Më 2 janar e luan ndeshjen e radhës kampionale, ndërsa më 11 janar ka ndeshje në Ligën e Kampionëve. Pra është skuadër e Championsit, garës elitare evropiane.

Kosova deri më tani nuk ka pasur lojtare në Ligën e Kampionëve. Storhamari është në Grupin A të Championsit, ndërsa mban vendin e gjashtë me dy fitore, një barazim e pesë humbje. Më 11 janar, skuadra e re e Gjikokajt luan ndaj Gloria Birstria në Rumani.

Në kampionatin norvegjez kjo skuadër është e dyta në tabelë. Vjet, Storhamari e fitoi Ligën e Evropës, që është niveli i dytë i garave kontinentale për klube të hendbollit.

Aktualisht është duke u zhvilluar Kampionati Evropian i hendbollisteve dhe, për këtë arsye, garat e klubeve janë në pushim.

“Erdhi si lëvizje shokuese. Por nuk kisha asnjëherë dyshim. Shkoi nga zero në 100 për kohë të shkurtër. Në fillim nuk kam besuar. Më pëlqen Storhamari, mënyra se si luan, me ritëm dhe lojë fizike”, ka thënë Gjikokaj.

Ajo ka thënë se ka mbajtur formën, ndonëse mori pushim nga hendbolli.

“Në lojë jam e mençur. I shoh lojtaret e tjera dhe hapësirat që jo të gjithë i shohin. Më pëlqen të luaj në sulm e mbrojtje”, ka shtuar Gjikokaj.

Kthimin e saj në hendboll dhe transferimin te ekipi i Championsit e kanë vlerësuar edhe në Federatën e Hendbollit të Kosovës. Selektori Agron Shabani çmon faktin se Mirela do të luajë në top-skuadër evropiane, ndërsa sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Muhamet Arifi vlerëson se kjo lëvizje i shërben edhe Kosovës.

“Javën tjetër e mësojmë kundërshtarin e raundit të fundit kualifikues për Botëror. Mirela është pjesë e rëndësishme e Kombëtares sonë. Ajo kishte një shkëputje të vogël, por po kthehet fuqishëm dhe do të luajë në nivelin më të lartë të mundshëm. Kombëtarja jonë tashmë është plotësisht e mobilizuar dhe këtë e dëshmuam me fitoret ndaj Belgjikës e Bosnjë-Hercegovinës. Shpresojmë të kemi fat në short dhe të kërkojmë kualifikimin në Botëror, që do të ishte tjetër sukses madhor”, ka theksuar Arifi.

Kosova ka top-lojtare edhe në ligën daneze, që është prej më cilësoreve në botë.