Sporte të tjera

Lëndohet kapitenia e Kosovës, do të mungojë një vit

Leonora Demaj

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll mori goditje të rëndë në prag të ndeshjeve me Suedinë, që i takojnë fazës së fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Kapitenia dhe liderja e përfaqësueses, Leonora Demaj, është lënduar javë më parë ndërsa këtë javë i është nënshtruar një operimi. Operimi ka përfunduar me sukses të plotë, ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës. 

Demaj do të mungojë gjatë, por ajo ka premtuar kthim edhe më të fortë dhe kontribut të mëtejmë për Kosovën.

“Është lëndim i ligamentit të kryqëzuar, por në këmbën e majtë e jo në të djathtën që e kisha të lënduar më herët. Operimi ka shkuar shumë mirë, ndërsa tash më pret periudhë njëvjeçare e rehabilitimit”, ka treguar Demaj.

Në vjeshtë, Demaj ishte golashënuesja më e mirë e fazës së parë kualifikuese për Botëror. Në dy ndeshje i realizoi plot 24 gola. Kosova mposhti Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën dhe avancoi në fazën e dytë.

Leonora Demaj bën karrierë në Danimarkë.

Kosova më 10 e 13 prill përballet me Suedinë në fazën e fundit kualifikuese për Botëror. Ndeshja e parë është në Karlskrona, ndërsa e dyta në Prishtinë.