Hendbollistët e grupmoshës U18 të Kosovës janë kualifikuar në Kampionatin Botëror që në këtë vit do të organizohet në Egjipt.
Kosova U18 të dielën e fitoi “IHF Trophy Intercontinental” pasi në finale e mposhti përfaqësuesen e Nigerisë me rezultatin 34:30, pas vazhdimeve.
Ndeshjet e kësaj gare janë zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Loja finale mes Kosovës e Nigerisë ishte shumë e fortë dhe dramatike.
Të dyja pjesët u mbyllën me rezultat të barabartë, 13:13.
Hendbollisti Mustapha Mohammed dështoi të realizonte pas ndërprerjes që e patën kur kishin mbetur edhe 40 sekonda lojë në kohën e rregullt, e rezultati ishte 26:25 në të mirë të nigerianëve. Tentimi i tij u bllokua nga Amar Muqolli.
Muqolli shënoi menjëherë në aksionin e radhës për 26:26 dhe ndeshja shkoi në vazhdime dy herë nga pesë minuta. Muqolli, që luan te Besa Famgas, u emërua si lojtari më i mirë i finales. Muqolli e mbylli ndeshjen me nëntë gola të realizuar nga 14 tentime.
Hendbollistët premtues të Kosovës fituan pas vazhdimeve 34:30, për të avancuar në Botëror.
Kontribut në fitore dha edhe Granit Kadiri që shënoi shtatë gola nga 10 tentime.
Nga katër gola i kishin Ilir Istrefaj dhe Erion Bajramaj.
Në portë me paraqitje shumë të mirë u shqua portieri Olt Kabashi që kishte 11 pritje.
Nigerisë nuk i ndihmuan shtatë golat e Christian Bolaji Folokit.
Kosova e nisi rrugëtimin me dy fitore në Grupin B. Fitoi 30:27 ndaj Nigerisë në ndeshjen e parë, ndërsa doli e para në grup pas fitores 36:15 ndaj Kaledonisë së Re.
Në gjysmëfinale fitoi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës 27:26, dhe në finale e mposhti sërish Nigerinë në një ndeshje shumë të luftuar.
Botërori organizohet në Egjipt prej 6 deri më 17 gusht të këtij viti.