Olsi Mulaj dy minuta para se të përfundonte ndeshja, shënoi gol për Kosovën U18.
Hendbollisti i Besa Famgasit shënoi për rezultatin 32:31.
Loja ishte e fortë. Bullgarët fituan shtatë-metërsh dhe ishin pranë barazimit të rezultatit.
Por tentimin e Daniel Bozhanovit e priti portieri Olt Kabashi. Gëzimi ishte shumë i madh te “Dardanët” e rinj. Ata iu afruan suksesit edhe më shumë. Në aksionin e fundit në ndeshje, Mulaj shënoi tjetër gol për 33:31. Ishte edhe goli që e vendosi rezultatin përfundimtar të ballafaqimit.
Me golin e bekut të majtë të skuadrës shumë të suksesshme pejane, Kosova U18 e fitoi kampionatin “IHF Trophy” për zonën evropiane, që gjatë kësaj jave u mbajt në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë.
“Çdo fitore ka qenë në momentet e fundit. Sot në finale në pjesën e parë luajtëm jashtëzakonisht mirë. Në pjesën e dytë patëm telashe edhe me rotacion në skuadër por edhe me lodhje. Erdhëm në një situatë të komplikuar por fundi ishte ashtu siç duhet. Është një gjeneratë që premton për të ardhmen”, ka deklaruar pas ndeshjes Bujar Qerimi për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Në kuadër të Grupit B, Kosova fitoi ndaj Moldavisë 35:26. Fitoi ndeshjen dramatike ndaj Bullgarisë 35:33 dhe u kualifikua në gjysmëfinale si e para e Grupit B. Me rezultatin 29:26 triumfoi ndaj Britanisë së Madhe në gjysmëfinale dhe të shtunën e përmbylli me sukses garën pas triumfit dramatik ndaj Bullgarisë sërish.
Kosova ishte më e mirë në pjesën e parë. Madje pati shkëputje prej gjashtë golave në fundin e pjesës së parë që u mbyll me rezultatin 18:12.
Por, bullgarët pas pushimit të gjatë shfaqën më tepër dhe e ngushtuan rezultatin, që deri në fund ishte thuajse i barabartë.
Hendbollistët e Kosovës U18, megjithatë, u treguan më të saktë në momentet vendimtare për fitoren e madhe.
Edonis Hajra ishte golashënuesi më i mirë te “Dardanët” me 10 gola. Nëntë gola i shënoi Mulaj, kurse Granit Kadiri kontribuoi me fitore me shtatë gola. Katër gola i kishte Ilir Istrefaj, ndërsa Amar Muqolli i shënoi tri gola.
Ivan Petkov u dallua te Bullgaria me 14 gola.
Suksesi në Prishtinë, hendbollistëve të Kosovës U18 ia garanton mbetjen në garë për të zënë vend në Kampionat Botëror për grupmoshat e reja.
Arritjen në Kampionatin Botëror së fundmi e kanë arritur hendbollistet e grupmoshës U18 të Kosovës.
Ato morën pjesë në Chuzhou të Kinës prej 14 deri më 25 gusht, ku siguruan pjesëmarrjen pikërisht përmes rrugës dytësore, përkatësisht përmes “IHF Trophyt”.
Ato e arritën suksesin e parë për një përfaqësuese të Kosovës në sportet ekipore në konkurrencë të femrave, që kanë siguruar Botërorin.
Përfunduan në vendin e 23-të nga 32 përfaqësuese pjesëmarrëse. Pati tri fitore e katër disfata.