Federata Esports Kosova ka njoftuar të enjten se Federata Ndërkombëtare Esports (IESF) ia ka besuar Kosovës organizimin e Kampionatit Evropian të lojërave të famshme elektronike “Counter-Strike 2” dhe “Dota 2”.
Evropiani do të mbahet në Prishtinë më 8 korrik.
Zyrtarizmi i organizimit të Evropianit, u bë e ditur nëpërmjet një tryeze, pjesë e të cilës ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esports (IESF), Boban Totovski dhe kryetari i Federatës Esports Kosova, Altin Preniqi.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm për të dhënë një lajm, por së bashku po hapim një kapitull të ri për sportet elektronike në vendin tonë. Kosova, vendi i rinisë, i teknologjisë dhe i inovacionit, përmes angazhimit të secilit prej jush, ka arritur një sukses të madh – të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti”, tha kryeministri Kurti ndër të tjera në tryezën e organizuar të enjten.
Në Evropian e lojërave të famshme elektronike “Counter-Strike 2” dhe “Dota 2”, do të marrin pjesë 46 shtete të Evropës.
Evropiani është kualifikues për Botërorin 2026 dhe kjo e bën edhe më të rëndësishëm ngjarjen që do të mbahet në Prishtinë.