“Illyrians” është shpallur kampion i Kosovës në lojën e famshme “Counter Strike 2”.
Në finale të kampionatit të Kosovës, “Illyrians” mposhtën ekipin “Heroes”.
Kampionati i Kosovës u organizua nga Federata Esports Kosova, të dielën në Prishtinë.
Ekipi “Illyrians” do të vazhdojë rrugëtimin për të siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror që këtë vit mbahet në Riad të Arabisë Saudite. Çmimi i madh i Botërorit është 1 milion euro.
Kryetari i Federatës Esports Kosova (FESK), Altin Preniqi, është i kënaqur me pjesëmarrjen e ekipeve. Ai pret që kampionët të përfaqësohen denjësisht në garat ndërkombëtare.
“Si federatë jemi të kënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë kampionat. Organizimi ka qenë në nivelin e duhur. I falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, krerët e shtetit, sponsorët për mbështetjen e madhe, ndërsa kampionëve u dëshiroj suksese në rrugëtimin e tyre. Presim medalje nga Botërori”, ka thënë Preniqi për KOHËN.
Kampionati i Kosovës u organizua në një sallë gjigante në Prishtinë.
Të dielën ishin fillimisht gjysmëfinalet. Në gjysmëfinale “Illyrians” eliminoi “Avoidin”, ndërsa “Heroes” ekipin “KS”.
Gjysmëfinalet dhe finalja u përcollën nga një numër i madh shikuesish. Nuk mungonin edhe ovacionet gjatë zhvillimit të lojërave.
Nga afër kampionatin e përcollën edhe dy legjendat e lojës “Counter-Strike”, Juanflatroo dhe Enko.
“Counter-Strike” është videolojë në të cilën janë dy ekipe të cilat përballen mes vete “në luftë”. Loja daton nga viti 1999.
Ndërkohë, Genci Shala fitoi titullin e kampionit në lojën “eFootball”.
Pati edhe mirënjohje e çmime të tjera, ndërsa gjatë ceremonisë hapëse ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, i pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë të Federatës Ndërkombëtare të Esports dhe Federatës Globale të Esports.