Sporte të tjera

Kosova në kërkim të fitores së madhe ndaj Ukrainës

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e ka një barazim dhe një humbje në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2026”. Dhe fitoren e parë në këtë cikël kualifikues e kërkon të enjten nga ora 20:15.

Në sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova luan me Ukrainën. Ukraina tashmë e ka një fitore ndaj Ishujve Faroe. Me Ishujt, Kosova pësoi 32:21 në Torshavn. Por Kosova barazoi me Holandën, favoriten e grupit, nga e cila Ukraina pësoi humbje.

Barazimi 33:33 me Holandën u arrit në Prishtinë më 10 nëntor. Tradicionalisht Kosova luan më mirë si vendëse, ndonëse jo gjithnjë ka përkrahje të madhe nga shikuesit. Për ndeshjen e së enjtes, në përfaqësuese kanë kërkuar përkrahjen e tifozëve. Fitorja eventuale do të rriste shumë gjasat e Kosovës për kualifikim në Evropian, që do të ishte sukses historik. Ende asnjë përfaqësuese seniore e Kosovës, në të gjitha sportet ekipore, nuk është kualifikuar në Evropian.

Kosova luan me Ukrainën edhe të dielën në Klaipeda të Lituanisë. Ukraina ndeshjet si vendëse i organizon në shtete të tjera për shkak të pushtimit rus.

Lojtarët e Ukrainës luajnë në nivel më të lartë se ata të Kosovës dhe rrjedhimisht ndeshja në Prishtinë do të jetë shumë sfiduese. Po ashtu Ukraina ka përvojë në ngjarje të mëdha, ku Kosova synon të paraqitet në të ardhmen.

Në këtë cikël kualifikues, Kosova do t’i ketë edhe dy ndeshje të tjera. Më 8 maj në Prishtinë zhvillohet ndeshja Kosovë–Ishujt Faroe, ndërsa më 11 maj në Rotterdam, Kosova luan me Holandën.

Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian. Kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, prej tetë grupeve gjithsej. Përmes vendit të tretë, Kosova e kërkon rastin.

Pas dy xhirove, Holanda udhëheq në Grupin 6 me tri pikë. Ishujt Faroe dhe Ukraina i kanë nga dy pikë, ndërsa Kosova një.

Kampionati Evropian i vitit të ardhshëm mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji prej 15 janarit deri më 1 shkurt.