Sporte të tjera

Kosova me hendbolliste të konfirmuara kërkon befasinë ndaj Polonisë

Hendbollistet e Kosovës

Hendbollistet e Kosovës

Një pikë nga dy ndeshjet me Poloninë me shumë mundësi do t’i mjaftonte Kosovës për kualifikim në Kampionatin Evropian të hendbollisteve që këtë vit mbahet në Austri, Hungari dhe Zvicër.

Kosova më 4 prill luan ndaj Polonisë në Prishtinë, ndërsa më 7 prill në Zielona Gora. Janë ndeshjet e fundit të grupit të tetë të kualifikimeve të rregullta për “Euro 2024”. Ndaj polakeve cilësore, Kosova do të luajë me hendbolliste të konfirmuara. 

Selektori i Kosovës, Agron Shabani, të martën shpalli listën e lojtareve të ftuara. Në listën e tij janë 17 hendbollisteve. Loja e Kosovës sërish pritet të bazohet në kapitenen Leonora Demaj, motrat Marigona e Arlinda Hajdari, Mirela Gjikokajn dhe në disa lojtare të tjera që paraqiten në liga cilësore evropiane. 

Selektori Shabani ka ftuar edhe disa hendbolliste të reja, që grumbullimi do t’u shërbejë për të fituar përvojë.

Grumbullimi i hendbollisteve bëhet të premten në Prishtinë, ndërsa deri më 4 prill Përfaqësuesja do t’i ketë nga dy stërvitje në ditë.

Në grup me Kosovën e Poloninë është edhe Danimarka. Por Danimarka fitoi dy ndeshjet me Kosovën dhe dy ndeshjet e tjera me Poloninë. Tashmë e ka siguruar kualifikimin në Evropian. Vendi i parë dhe i dytë në grup sigurojnë kualifikimin në Evropian, ndërsa gjasa për kualifikim ka edhe prej pozitës së tretë. Katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë nga tetë grupet sa janë gjithsej, kualifikohen në Evropian. Dhe këtu e kërkon rastin Kosova, që është në grupin e vetëm me tri përfaqësuese.  
Sigurimi i fitores apo barazimit ndaj Polonisë, megjithatë, është shumë sfidues. Kosova nga Danimarka kishte pësuar 44:17 e 40:19. Ndërkohë Polonia prej danezeve kishte pësuar 26:22 dhe 39:31. 

Një vit më parë Kosova e Polonia u përballën në fazën e dytë kualifikuese për Botërorin 2023. Në Poloni, hendbollistet kosovare kishin pësuar 36:22. Pak më mirë u mbajtën në Kosovë, ku pësuan 32:20. 

Polonia ka bazë shumë më të gjerë të hendbollisteve cilësore. Ligën e ka shumë më cilësore se Kosova dhe Përfaqësuesen po ashtu. Rrjedhimisht është favorite e madhe.

Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet me Poloninë

Elisa Mulaj (Aker – Norvegji), Melisa Mulaj (Aker – Norvegji), Mirela Gjikokaj (Follo – Norvegji), Luljeta Esati (Ferizaj), Yllka Shatri (Istogu), Arlinda Hajdari (Bjerringbro – Danimarkë), Albina Rugova(Istogu), Venera Kafexholli (SPONO EAGLES – Zvicër), Arona Krasniqi (Prishtina), Leonora Demaj (Ringkobing – Danimarkë), Marigona Hajdari (Silkeborg-Voel – Danimarkë), Arlinda Dinarica (Istogu), Aurora Kryeziu (Mainz-Bretzenheim - Gjermani), Suzana Ujkiq (YUTZ – Francë), Dafina Mustafa (Bruehl – Zvicër),    Elisa Mirdita (SPONO Nottwil – Zvicër), Angjelina Krasniqi (Aker – Norvegji)