Sporte të tjera

Kosova lufton por nuk ia del ndaj Polonisë

Hendboll - Kosova

Hendbollistet e Kosovës kanë pësuar humbje nga Polonia në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Pallatin e Sportit në Prishtinë. 

Kosovës nuk i mjaftoi paraqitja e mirë e pjesës së parë dhe në fund pësoi humbje me rezultatin 34:27 në ndeshjen që i takoi kualifikimeve për “Euro 2024”.  

Një numër i madh i golave u shënuan në kryeqytet në pjesën e parë. 

“Dardanet” e nisën mirë ndeshjen, ndërsa në minutat e para të ballafaqimit krijuan epërsi 5:1. 

Polaket u kthyen në lojë më pas, por Kosova sërish u shkëput me dy gola epërsi, 11:9. 

Por, derisa ndeshja po shkonte drejt mbylljes së pjesës së parë, Polonia arriti që të kthehej në lojë e ta barazonte rezultatin. 

Në pushim skuadrat shkuan me rezultatin e barabartë 17:17. 

Kapitenia Leonora Demaj ishte më e dalluara në pjesën e parë. Ajo shënoi plot tetë gola për Kosovën. 
Loja e fortë e të dyja përfaqësueseve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, por përvoja e polakeve bëri që ato të krijonin epërsi 26:23, të cilën e menaxhuan deri në fund. 

Polonia kështu ka krijuar epërsi solide me shtatë gola për duelin kthyes në Zielona Gora, që zhvillohet të dielën. 

Kosovës nuk do t’i mjaftojë fitorja me më pak se shtatë gola. 

Leonora Demaj ishte më e dalluara te Kosova pasi e përfundoi ndeshjen me 12 gola në total nga 20 tentime. 

“Kemi luftuar, e kemi dhënë zemrën në fushë, por nuk doli e mjaftueshme. Janë disa aksione të pakta që e kanë bërë dallimin. Rezultati në pauzë 17:17 për ne është hap shumë i madh. Mendoj që rezultati ka qenë shumë mirë vetëm se kam dëshiruar të jetë edhe më mirë”, ka deklaruar kapitenia Demaj, pas ndeshjes për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës. 

Dhjetë tentime e gjashtë gola të shënuar i pati Mirela Gjikokaj. 

Edhe portierja Aurora Kryeziu pati disa momente të mira. Nga 42 tentime i priti 10 prej tyre. 

Monika Kobylinska ishte më e dalluara te Polonia me nëntë gola nga 13 tentime, ndërsa portierja Adriana Placzek, pati shtatë pritje nga 24 gjuajtje. 

Kosova është në Grupin 8, bashkë me Danimarkën. 

Danezet kanë katër fitore dhe kanë siguruar kualifikimin. 

Kualifikimet zhvillohen në tetë grupe të ndryshme. Dy të parët e secilit grup kualifikohen në Evropian e po ashtu katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë nga të gjitha grupet.