Me golat e Egzon Gjukës dhe kapitenit Valon Dedaj në minutat e fundit të ndeshjes në hendboll, Kosova ka fituar përballë Ukrainës 31:30.
Me fitoren e së enjtes mbrëma, Kosova ka mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Ndeshja i takoi xhiros së tretë të Grupit 6 për kualifikim në “Euro 2026”.
Pjesën e parë Kosova e fitoi 16:12. Për kohë të gjatë e mbajti epërsinë edhe në pjesën e dytë. Ukraina u kthye, por “Dardanët” ishin më të përqendruar dhe në fund iu gëzuan fitores së madhe. Ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, para një numri të madh shikuesish.
Fitorja rrist gjasat e Kosovës për kualifikim në Evropian, që do të ishte sukses historik. Kosova të dielën do të luajë sërish ndaj Ukrainës, por në Klaipeda të Lituanisë. Ukraina ndeshjet si vendëse i organizon në shtete të tjera për shkak të pushtimit rus. Dy të parët e grupit kualifikohen në Evorpian.
Kualifikohen edhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë, prej tetë grupeve sa janë gjithsej.
Kosova e kërkon rastin përmes vendit të tretë. Evropiani i vitit të ardhshëm organizohet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga 15 janari deri më 1 shkurt.