Sporte të tjera

Kastrioti e fiton Kupën e Kosovës në hendboll

Kastrioti

Kastrioti është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll.

Të dielën mbrëma në Ferizaj, në palestrën e stërmbushur me shikues, Kastrioti e mposhti në finale Besa Famgasin me rezultatin 29:24.

Për skuadrën ferizajase është hera e tetë që e fiton Kupën e Kosovës. Besa Famgas mbetet me 14 trofe të Kupës.

Finalja ishte e fortë dhe dramatike, ndërsa pas shumë kohësh palestra “Bill Clinton” ishte e mbushur me shikues për ndeshje hendbolli.

Në pjesën e parë në epërsi prej një goli kryesisht ishin ferizajasit. Por pas 30 minutave rezultati ishte 15:14 për pejanët.

Në mesin e pjesës së dytë lojtarët e Kastriotit bënë shkëputje prej 3-4 golash. Dhe epërsinë e mbajtën deri në fund.

Portieri Wadi Chebbi u dallua edhe në finale me pritje të shumta.  Deniz Terziqi i shënoi dhjetë gola për Kastriotin, pesë prej tyre nga penalltia. Pesë gola i kishte Lulzim Shabani, ndërsa nga katër i shënuan Vlerson Zherka e Hamdi Salihu.

Te Peja u dallua talenti Olsi Mulaj me shtatë gola. Vladimir Stankoviq i realizoi gjashtë, ndërsa nga tri i kishin Edonis Hajra e Amar Muqolli.

Besa bazohet kryesisht në gjeneratë të re lojtarësh, por u mbajt në finale deri në fund. Kjo gjeneratë vlerësohet e ardhmja e hendbollit kosovar.

Në gjysmëfinale, Besa Famgas e eliminoi Vushtrrinë. Ndërkohë Kastrioti e mposhti Rahovecin në një ndeshje shumë të fortë.

Tani Kastrioti e Besa Famgas e vazhdojnë garën për titull të kampionit. Do të paraqiten në gjysmëfinale të plejofit.