Sporte të tjera

Johnsoni fiton të artën në lëshim, në Botërorin e skijimit

Breezy Johnson

Skitarja amerikane, Breezy Johnson, e ka fituar medaljen e artë në garën e lëshimit në Kampionatin Botëror që po organizohet në Saalbach-Hinterglemm të Austrisë.

Johnson e përfundoi garën me 0.15 sekonda para medalistes së argjendtë, Mirjam Punchner të Austrisë.

Skitarja çeke, Ester Ledecka, përfundoi e treta dhe e fitoi medaljen e bronztë, pasi e mbylli garën me 0.21 sekonda vonesë.

Amerikania tjetër dhe njëra prej skitareve më të mira në histori, Lindsey Vonn, e zuri vendin e 15-të. Ajo e mbylli garën me 1.96 sekonda vonesë.

Vonn u pensionua në vitin 2019 pasi e fitoi medaljen e bronztë në lëshim në Are të Suedisë, pasi kishte shumë lëndime.

Por është kthyer sërish në gara në këtë sezon, pasi bëri ndërhyrje në gju.

Për Johnsonin është medalja e parë e fituar në një ngjarje madhore, vetëm dy muaj pasi u kthye nga dënimi prej 14 muajsh për shkak të thyerjes së tri rregullave të “anti-dopingut”.