Hendbollisti Enis Kabashi ka vendosur t’i jap fund karrierës. 33-vjeçari për shumë vjet e ka prezantuar Kosovën, ndërsa në nëntë vjetët e fundit luajti në Gjermani për skuadrën Landshut.
Në Kosovë, Kabashi ka luajtur për Trepçën, Prishtinën e Besën. Ka fituar shumë trofe, ndërsa ishte i shpallur edhe hendbollisti më i mirë i vitit.
Kabashi do të mbetet në hendboll si trajner i kategorive të reja.
“Jam tërhequr nga hendbolli aktiv. E kam kryer provimin për trajner të nivelit C në Gjermani dhe jam duke e ushtruar ekipin U18 të klubit gjerman Landshut. Klubin ku kam luajtur plot nëntë vjet po e lë në moment shumë të mirë. Jemi bërë kampionë këtë edicion dhe kemi hyrë në ligën e tretë gjermane. Në ligën e tretë niveli është më i lartë dhe duhet të udhëtohet goxha larg. Edhe lëndimet që i kam pasur janë prej arsyeve që kam vendosur t’i jap fund karrierës si lojtar. Hyrja në ligën e tretë ishte synimi kryesor prej që kam ardhur dhe jam i lumtur që ia dolëm”, ka thënë Kabashi për sajtin zyrtar të FHK-së.