Hendbollistet e Kosovës U18 të dielën e kanë siguruar fitoren e dytë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Chuzhou të Kinës.
Kosova e mposhti Kanadanë me rezultatin 26:20. Pjesa e parë përfundoi në të mirë të Kanadasë me rezultatin 12:9. Kosova e arriti fitoren në pjesën e dytë duke e fituar me rezultatin e thellë 17:8.
Për Kosovën kjo ishte ndeshja e katërt e zhvilluar në Kampionatin Botëror që po mbahet në Kinë. Në dy ndeshjet e para ka pësuar disfata të thellë nga Franca dhe Brazili. Ndërsa të shtunën e mposhti Indinë.
Ndeshja i takoi Grupit II të President’s Cup, ku garohet për pozitat prej 17 deri në 32. Kjo është faza e dytë grupore. 16 përfaqësueset më të mira garojnë për të avancuar në fazën nokaut, ndërsa 16 të tjerat për plasman më të mirë.
Më efikasja në fitoren ndaj Kanadasë ishte Sara Gjergjaj me shtatë gola nga shtatë tentime. Diona Dreshaj e Andra Uglani i kishin nga katër gola, kurse tri gola i shënoi Arona Krasniqi. Të martën, Kosova luan ndaj Koresë së Jugut.