Hendbollistet e përfaqësueses së Kosovës U18 të martën kanë pësuar disfatë në ndeshjen e fundit të fazës së dytë grupore në Kampionatin Botëror që po mbahet në Chuzhou të Kinës. Kosova pësoi disfatë nga Koreja e Jugut me rezultatin 31:21.
Koreja e Jugut i fitoi të dyja pjesët me rezultatin 14:11 dhe 17:10.
Kosova U18 përfundoi në vendin e dytë me katër pikë të fituara në Grupin II të “President’s Cup”, ku garohet për pozitat prej 17 deri në 32. Koreja e Jugut me gjashtë pikë doli e para në grup. India përfundoi e treta me dy pikë, kurse Kanadaja e fundit, pa pikë.
Kosova i ka edhe dy ndeshje në Botëror, për plasman përfundimtar nga pozitat prej 21 deri në 24. Diona Dreshaj i shënoi dhjetë gola nga 13 tentime për Kosovën. Ajo u shpall më e mira e ndeshjes. Arjeta Imeraj i kishte tri gola nga pesë tentime, kurse Orgesa Gola realizoi dy gola nga tri tentime. Kosova në Kampionatin Botëror që po mbahet në Kinë ka dy fitore dhe tri disfata.