Rahoveci synon të vazhdojë me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll. “Vreshtarët” kanë fituar 22 ndeshjet e deritashme dhe udhëheqin në tabelë me 44 pikë. Të shtunën prej orës 20:00, Rahoveci luan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit, në kuadër të xhiros së 23-të. Vëllaznimi në mesjavë i mori pikë Prishtinës në një ndeshje të mbetur, por vlerësohet se nuk ka shumë gjasa ta befasojë Rahovecin. Vëllaznimi është i gjashti me vetëm tetë pikë.
Të shtunën prej orës 20:00 janë edhe dy takimet tjera të xhiros së 23-të të elitës kosovare të hendbollit. Kastrioti e Prishtina takohen në Ferizaj, ndërsa Vushtrria e Trepça në Vushtrri. Besa Famgas është e lirë për shkak të tërheqjes së Deçanit nga garat.
Besa është e dyta me 36 pikë. Pason Kastrioti me 28, Trepça me 26 e Prishtina me 19 pikë.
Te hendbollistet zhvillohet java e 15-të. Shqiponja – Prishtina është ndeshja kryesore e xhiros, që luhet të shtunën nga ora 15:30 në Gjakovë. Të dy skuadrat synojnë plejofin, por aktualisht janë jashtë zonës që siguron garat shtesë. Shqiponja është e pesta me 16 pikë, sa i ka edhe Vushtrria në pozitën e katërt. Prishtina është e gjashta me 14 pikë.
Ulpiana – Istogu, Kastrioti – Samadrexha, Ferizaj – Jusuf Gërvalla janë ndeshjet tjera të kësaj xhiroje. Për shkak të tërheqjes së Vëllaznimit, Vushtrria është e lirë.
Ferizaj udhëheq me 28 pikë. I ka fituar të gjitha 14 ndeshjet e këtij edicioni. Istogu është i dyti me 26 pikë, ndërsa Samadrexha e treta me 20 pikë.