Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll e ka nisur me fitore dramatike paraqitjen në “IHF Trophy Intercontinental”.
Të enjten në mbrëmje në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, “Dardanët” e rinj triumfuan me tri gola dallim ndaj Përfaqësueses së Nigerisë, 30:27.
Në pjesën e parë, përfaqësuesja nigeriane kishte epërsi prej katër golave, por paraqitje dukshëm më të mirë patën hendbollistët e rinj të Kosovës, për fitoren shumë të rëndësishme.
Amar Muqolli, i cili e fitoi edhe epitetin e lojtarit më të mirë të ndeshjes, ishte më i miri te Kosova me tetë gola. Gjashtë gola në fitore i shënuan Granit Kadiri dhe Drijon Istrefi, ndërsa Olsi Mulaj kontribuoi me pesë gola.
Paraqitje të mirë në portë pati portieri Olt Kabashi.
Ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit B, Kosova U18 e luan ndaj Kaledonisë së Re.
Me fitore, Kosova U18 kalon në gjysmëfinale si e para në grup.