Kampionia olimpike, Lara Gut-Behrami, ka shfaqur gjithë potencialin e saj për të fituar të dielën garën e Kupës Botërore në Sun Valley në disiplinën Super-G të skijimit alpin.
Ajo e përfundoi garën me kohën 1 minutë, 12 sekonda e 35 të qindtat, duke e lënë prapa legjendën e skijimit, 40-vjeçaren Lindsey Vonn. Amerikania Vonn e përfundoi garën me 1.29 sekonda vonesë.
Medalistja e artë olimpike, Gut-Behrami, hyri në garë me pesë pikë prapa fitueses së përgjithshme të Kupës së Botës, Federica Brignone, por doli nga gara me titullin e gjashtë në Super-G dhe të tretin rresht. Bashkëshortja e Valon Behramit e fitoi “globin e vogël” të skijimit alpin, që ndahet për fituesit nëpër disiplina.
“Është thjesht gjë shumë e bukur dhe e jashtëzakonshme për ta fituar ‘globin e gjashtë’. Jam krenare. Kjo të merr shumë energji pasi duhet garuar për kohë të gjatë. E kam kuptuar se pa e shijuar nuk funksionon asgjë. Po kënaqem sërish me atë që po e bëj. Por për të arritur suksese duhet ambient shumë i mirë. Vetëm atëherë është e mundur për të qëndruar në skenë për kohë të gjatë. Pa dyshim se nuk do të isha këtu po të isha e vetme”, ka deklaruar Gut-Behrami.
Skitarja zvicerane theksoi se gara e së dielës është prej më të mirave që ka bërë. Për këtë arsye u shpërblye në fund me një tjetër triumf.
“E dija se duhej të bëja njërën prej garave më të mira. Ndihesha e sigurt. Shtegu ishte shumë i mirë dhe u përshtata mirë. Nuk e dija nëse do të garoja në këtë mënyrë dhe të bëja paraqitje të tillë”.
Italiania Brignone e mbylli garën në vendin e tretë me 1.33 sekonda prapa Gut-Behramit.
Në renditjen e përgjithshme të disiplinës Super-G, Gut-Behrami doli e para, Brignone e dyta ndërsa Soffia Goggia, po ashtu e Italisë, përfundoi e treta.
Për legjendën e skijimit, amerikanen Vonn, pozita e dytë në Sun Valley të Shteteve të Bashkuara të Amerikës siguroi vendin e dytë në podiumin e Kupës së Botës prej 15 marsit të vitit 2018, kur përfundoi e treta në Super-G në Are të Suedisë. Vonn u kthye nga pensionimi këtë sezon pasi kishte bërë operim në gju.
Ishte podiumi i 138-të në karrierë për Vonnin.
Të shtunën “globin e vogël” në disiplinën e lëshimit e fitoi Brignone.
Gut-Behrami do të takohet sërish me Brignonen të martën në disiplinën e sllallomit të madh. Së bashku do të mundohen që ta shkrijnë diferencën e 20 pikëve ndaj lideres Alice Robinson.
Kupa e Botës është seri e garave në skijimin alpin. Është aktiviteti kryesor në skijim.
Gut-Behrami i ka dy tituj të përgjithshëm, ndërsa në Super-G për herë të parë fitoi në vitin 2014. Më pas ka triumfuar në vitet 2016, 2021, 2023 dhe 2024.