Hendboll

Grup i vështirë për hendbollistet e reja për Botëror

hendboll

Hendbollistet e reja të Kosovës do të kenë përballë përfaqësuese të forta në Kampionatin Botëror që këtë vit do të organizohet në Chuzhou të Kinës.

Kosova U18 është vendosur në Grupin D pas shortit të tërhequr të shtunën në Neu-Ulm të Gjermanisë.

Në këtë grup janë edhe Franca, Brazili dhe India.

Kampionati Botëror në Chuzhou të Kinës nis më 14 gusht, ndërsa përfundon më 25 gusht.

Kosova është njëra prej përfaqësueseve debutuese në Botërorin U18, ku garojnë gjithsej 32 skuadra.

Kosova ngjarjen globale e siguroi përmes rrugës dytësore, përkatësisht përmes IHF Trophy, që ka për qëllim zhvillimin e hendbollit nëpër botë, e po ashtu siguron biletën për Botëror.

Kosova U18 e fitoi garën IHF Trophy për Evropë, ngjarje e cila u organizua në vjeshtën e kaluar në Prishtinë.

Në shkurt të këtij viti, Kosova U18 fitoi IHF Trophy ndërkontinentale, pasi kishte mposhtur Nigerinë në finale.

Në Tashkent të Uzbekistanit, Kosova U18 kishte fituar edhe ndaj Kaledonisë së Re, Guatemalës e Uzbekistanit.

Kjo ka qenë hera e parë që një përfaqësuese e Kosovës në sportet ekipore, në konkurrencë të femrave, e ka siguruar Botërorin.