Sporte të tjera

Garë e rëndësishme e ngjitjes sportive në Pejë

Ngjitje

Në hapësirën e Qendrës Rinore “Arlind Gjikolli – Gjikla” në Pejë, të shtunën dhe të dielën janë mbajtur garat e ngjitjes sportive.

Në garat e organizuara nga Komisioni i Ngjitjes Sportive pranë Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës morën pjesë garues të dy gjinive.

Gara në një forme të ngjitjes shkëmbore, Bouldering, nisi me fëmijët nën moshën 10-vjeçare.

Në kategorinë U10, vendin e parë e zuri Mat Morina, të dyti Omer Brezhnica, kurse vendin e tretë Liana Kastrati.

Më pas, fituesit e garave republikane përfaqësuan Kosovën në garat rajonale.

Në garat republikane, vendin e parë e zuri Fleta Deçani, të dytin Ajza Abazi dhe të tretin Flaka Gacaferi.

Në konkurrencën e meshkujve Albi Koçani zuri vendin e parë, të dytin Diell Veseli, kurse të tretin Amar Anadolli.

Dhe fituesit e garave republikane përfaqësuan Kosovën të dielën në garat rajonale.

Vendin e parë e zuri Albi Koçani, të dytin Elion Çikopano dhe të tretin Diell Veseli, ndërsa në kategorinë e femrave, Fleta Deçani doli e para, e dyta ishte Ajza Abazi dhe e treta Esma Laçi.

Fidan Abazi, kryetar i Komisionit të Ngjitjes Sportive, në kuadër të Federatës tregoi se garues të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkaqe teknike.

Ai është ndarë i kënaqur me organizimin dhe me rezultatet.

“Me organizimin dhe gjithë rezultatin jam shumë i kënaqur, edhe pse duhet mjaft punë dhe përkrahje për zhvillimin e këtij sporti. Por shpresojmë që në të ardhmen kemi mure të ngjitjes në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës. Kryetari dhe drejtoresha e sportit në Pejë ishin të pranishëm sot në garë dhe premtuan që shumë shpejt do ta ndajnë lokacionin për sallë të ngjitjes dhe do të ndihmojnë sportin e ngjitjes. Shpresoj që rrugën e njëjtë ta ndjekin edhe kryetarët e komunave të tjera. Bashkërisht me Federatën dhe MKRS-në do të mundohemi që këtë potencial ta kanalizojmë dhe ngjitësit tanë ta përfaqësojnë shtetin edhe në gara ndërkombëtare”, ka thënë Abazi.

Ngjitja sportive ka filluar në vitin 2000 së pari në Pejë nga shoqatat alpiniste “Gjeravica” dhe “Merimangat” dhe ka vazhduar të përhapet edhe në pjesë të tjera të vendit.

Prej vitit 2020, ngjitja sportive është kategori e sporteve olimpike dhe një mundësi e mirë për ngjitësit kosovarë që të marrin pjesë edhe në garat ndërkombëtare.