Sporte të tjera

Formula 1, McLareni siguron titullin e parë pas 26-vjetësh

Lando Norris

Lando Norris ia ka siguruar skuderisë së McLarenit në Formula 1, titullin e parë për konstruktorë pas 26-vjetësh.

Norrisi të dielën triumfoi në garën e fundit të sezonit, atë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai e nisi garën i pari dhe përfundoi i pari për triumfin e katërt të sezonit, që ishte i mjaftueshëm për ta fituar kampionatin për konstruktorë me 14 pikë më shumë, pavarësisht se Ferrari përfundoi i dyti e i treti me ngasësit, Carlos Sainz dhe Charles Leclerc.

Leclerc shkëlqeu në pistë, pasi e filloi garimin nga pozita e 19-të dhe në fund doli i treti.

Në rast se bolidi i Norrisit do të kishte telashe, atëherë Ferrari do të ishte fitues i titullit për konstruktorë.

Në garën e fundit për skuderinë e Mercedesit, Lewis Hamilton përfundoi i katërti, para ngasësit tjetër të skuadrës, George Russell.

Me fitoren të dielën në Abu Dhabi, Norrisi e përfundoi kampionatin e ngasësve në vendin e dytë, me 18 pikë para Leclercut dhe 63 prapa Verstappenit që e fitoi më herët titullin e katërt rresht në Formula 1. 

Për herën e fundit, McLareni ishte kampion me ngasës në vitin 2008, kur në skuadër e kishte Hamiltonin.

Ndërkohë për konstruktorë, McLareni ishte kampion në vitin 1998 për herën e fundit.

“Viti tjetër do të jetë edhe viti im, po ashtu”, ka thënë Norris pas përfundimit të garës dhe sezonit të sivjetmë.