Sporte të tjera

FINA i kërkon Federatës së Notit të anulojë mbajtjen e zgjedhjeve më 2 nëntor

Noti

Federata e Notit e Kosovës (FNK) planifikon organizimin e Kuvendit Zgjedhor në fillim të muajit të ardhshëm. Por Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit (World Aquatics), ia ka bërë të qartë FNK-së se nuk do t’i njohë rezultatet që do të dalin nga Kuvendi Zgjedhor i 2 nëntorit. Kështu shkruan në letrën të cilën World Aquatics ia ka dërguar FNK-së javën e kaluar. Në letrën e 21 tetorit, të cilën e ka siguruar KOHA, World Aquatics kërkohet nga FNK-ja, saktësisht anëtarët e Bordit të mos mbajnë zgjedhjet derisa Statuti i ri të jetë i harmonizuar me ndryshimet e kërkuara. Por nënkryetari i FNK-së, Bashkim Haxhimusa thotë se federata punon me ligje të Kosovës. Thotë se Kuvendi Zgjedhor do të mbahet më 2 nëntor, ndonëse Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit e thotë të kundërtën.

“Në emër të World Aquatics, ne dëshirojmë ta prezantojmë pozicionin tonë aktual në lidhje me planifikimin e Asamblesë Zgjedhore të Federatës së Notit të Kosovës. Federata e ka informuar World Aquaticsin se Asambleja Zgjedhore do të mbahet më 2 nëntor 2024 në Hotel Sirius, në Prishtinë. Megjithatë, pasi World Aquatics në vazhdimësi përcjell Rregulloren e Federatës, World Aquatics kërkon që zgjedhjet të mos mbahen para përfundimit të këtij rishikimi. Nëse Federata vazhdon me mbajtjen e Asamblesë Zgjedhore, World Aquatics dëshiron t’ju bëjë të qartë se nuk do t’i njohë rezultatet e një Asambleje të tillë. Për më shumë, anëtarët aktualë të Bordit Ekzekutiv të Federatës do t’i ruajnë postet e tyre deri kur të mbahen zgjedhjet legjitime, duke i përcjellë kushtet e përcaktuara në Rregullore, të cilat i ka shqyrtuar World Aquatics”, shkruan në letrën e Federatës Ndërkombëtare të Sporteve të Ujit që mban firmën e drejtorit ekzekutiv, Brent Nowicki.

Federata e Notit e Kosovës është pa kryetar. Muajin e kaluar dha dorëheqje nga posti i kryetarit të FNK-së, Agron Zeqiri pasi u suspendua nga Njësia për Integritet i Sporteve të Ujit, njësi e pavarur e World Aquatics për ruajtjen e integritetit të sportit. Zeqiri ishte suspenduar për diskriminim. Dhe që nga atëherë, FNK-ja udhëhiqet nga nënkryetarët dhe anëtarët e Bordit.

Njëri prej nënkryetarëve të Bordit është edhe Bashkim Haxhimusa. Haxhimusa insiston se kanë respektuar të gjitha afatet ligjore për njoftimin e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.

“Realisht ne punojmë me ligje të Kosovës dhe mendoj se verdiktin duhet ta japë MKRS-ja, sepse ne jemi vartës të MKRS-së dhe mendoj se atë dokument, Federata Botërore është dashur ta dërgojnë në adresë të MKRS-së, jo neve. Më statut thotë që 60 ditë para mbajtjes së Kuvendit duhet të njoftohet FINA. Ne e kemi njoftuar 60 ditë përpara dhe e kemi kërkuar mbajtjen e Kuvendit. Unë mendoj se është pak ndoshta e paqartë dhe i jemi drejtuar MKRS-së për të dhënë mendimin e vet. Të shohim se çka mendon zyra ligjore e MKRS-së, sepse nuk kemi mundësi të bisedojmë më shumë rreth kësaj çështjeje, sepse i jemi përmbajtur Statutit”, ka thënë Haxhimusa të dielën për KOHËN.

Haxhimusa thotë se nuk e kanë të qartë kërkesën e FINA-s për shtyrje të Kuvendit Zgjedhor.

“Duhet të pyesni FINA-n pse nuk duhet të mbahet më 2 nëntor. As unë personalisht nuk e di. Nuk e di pse. Është shumë interesant. Nëse duhet t’i përmbahemi ligjeve të Kosovës dhe rregullave statutare të FINA-s, neve na del që kemi të drejtën që tani e tutje, vetëm të lajmërojmë 60 ditë përpara FINA-n dhe MKRS-së, Komitetin Olimpik të Kosovës. Me siguri se do ta mbajmë, ma merr mendja që duhet të mbahet. Ne nuk po shkelim as ligjin, as rregulloret e as Statutin. Ne po e veprojmë konform saj. Duhet të tregojnë arsyen pse nuk duhet të mbahen. Ne sipas ligjeve të Kosovës, deri në fund të janarit duhet të përfundojnë Kuvendet. Ne e kemi obligative. Tash FINA duhet të dalë dhe të thotë se nuk i njoh ligjet e Kosovës dhe dua të veproj disi që as vet nuk e di se si”, është shprehur Haxhimusa.

Federata e Notit e Kosovës është pranuar në vitin 2015 nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit. Në vitin 2015 janë bërë edhe ndryshimet e fundit në Statut. Në nenin e fundit të Statutit të vitit 2015 shkruan se “statuti dhe rregullat e Federatës së Notit të Kosovës nuk duhet të jenë në konflikt me ato të FINA-s. Ku ka një konflikt, Rregullat e FINA do të mbizotërojnë”.

Shkruan po ashtu se “Federata e Notit e Kosovës duhet të kërkojë miratimin e Byrosë FINA për çdo ndryshim emri dhe/ose statuti para se ndryshimet e tilla të jenë të vlefshme”.

Haxhimusa pranon se kanë dërguar një draft të ndryshimeve statutare. Por thotë se mund të jenë formale dhe se ato do të ndryshohen më 2 nëntor.

“Ne kemi dorëzuar herën e parë, tash kanë kërkuar edhe disa ndryshime herën e dytë. Po pikërisht për këto ndryshime është thirr mbledhja, që njëherë të bëhen ndryshimet, sepse pa u mbajtur kuvend, ndryshimet nuk mund të bëhen. Nuk jam në rrjedha po krejt ndryshimet që duhet të jenë, duhet të jenë formale. Nuk ka ndryshim të madh. Më shumë sekretari është në dijeni. Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim i madh që duhet të pritet. Nuk jam në rrjedha. Nuk jam i sigurt nëse u kanë kthyer diçka tjetër. Ne nuk duhet t’i shkelim ligjit e Kosovës, por duhet të bëjmë plotësim ndryshimet e statutit dhe të harmonizojmë me FINA-n. Ndryshimet në statut duhet të harmonizohen më 2 nëntor”, ka thënë Haxhimusa.

Dokumenti i plotë.pdf