Në fund të janarit gjasat ishin të mëdha që Kastrioti të mos i vazhdonte fare garat. Tre muaj më pas, në fund të prillit, e njëjta skuadër e fitoi Kupën e Kosovës në hendboll.
Në finale, të dielën mbrëma, në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti e mposhti Besa Famgasin me rezultatin 29:24. Finalja ishte e fortë, ashtu si çdo finale tjetër. Por ishte atmosfera që solli entuziazëm. Dhe e konfirmoi atë që dihej tashmë – që Ferizaj është qytet i hendbollit.
Plot 3.000 shikues ishin në palestrën që e mban emrin e ish-presidentit amerikan. Përkrahja ishte e zëshme për Kastriotin, ndërsa në fund festa ishte e madhe.
Kastrioti e mbrojti trofeun e Kupës, ndërsa këtë garë e fitoi për herë të tetë. Kastrioti është klub pasues i Borcit të famshëm të Ferizajt. Borci në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar kishte luajtur me sukses në ligën e parë të shtetit të atëhershëm federativ. Hendbollistët më të mirë të vendit ishin grumbulluar në klubin ferizajas. Edhe atëherë përkrahja nga shikuesit ishte e madhe, ndërsa pakkush mund të ketë pritur që palestra në Ferizaj do të mbushet përplot për finalen e së dielës.
Sinjale u dhanë të shtunën, kur në gjysmëfinale ishin rreth 2.000 shikues. Kastrioti në gjysmëfinale e mposhti kampionin në fuqi, Rahovecin. Rahoveci e ka përfunduar pjesën e rregullt të kampionatit pa humbje të pësuar, por pësoi 27:24 nga skuadra me përvojë e Kastriotit.
Një palestër e stërmbushur me shikues për Kastriotin, mund të jetë dukur vetëm ëndërr në fund të janarit, kur lojtarët nuk po shihnin rrugdalje nga kriza në të cilën ishte klubi. Kapiteni Rron Ramadani kishte bërë një reagim publik dhe vetëm më pas gjërat nisën të lëviznin. Ndeshja e parë e Kastriotit në stinorin pranveror u shty, pasi në terminin e paraparë skuadra as që kishte nisur me stërvitje.
Kriza te Kastrioti kishte nisur në verën e vitit të kaluar në fakt. Kishte nisur të akumulohej borxhi i klubit ndaj lojtarëve, që megjithatë kishin vazhduar të luanin. Në kryesi të klubit kishte ndarje dhe kjo e bëri edhe më të rëndë gjendjen.
Tre muaj më pas nuk kishte shenja të ndarjes. Përkundrazi. I gjithë Ferizaj ishte i bashkuar rreth klubit simbol të qytetit, i cili përballet me kriza financiare e organizative thuajse çdo dy-tre vjet.
“Në tribuna, që ishin të stërmbushura, kishte shikues të çdo grupmoshe: fëmijë, pleq, të rinj. Kishte familjarë. Natyrisht ishin edhe tifozët tanë ‘Ujqit’. Çelësi i gjithë kësaj është dashuria e madhe e qytetit të Ferizajt ndaj sportit të hendbollit e në këtë rast ndaj Kastriotit, që është ikonë e qytetit. Të gjithë ishin të mallëngjyer për këso atmosfere të zjarrtë në tempullin tonë, atmosferë që ka munguar kohë të gjatë. Shumicës u janë kthyer kujtimet e së kaluarës”, ka thënë trajneri i Kastriotit, Verim Zherka, të hënën për KOHËN.
Ai e ka përjetuar rëndë krizën e fillimvitit.
“Isha skeptik për ecurinë e klubit në atë periudhë krize, por duke ditur se klubi ka histori të madhe dhe të suksesshme, prapë kisha shpresë se do të gjendet zgjidhja dhe se klubi do të vazhdojë garat.
Fatmirësisht, falë njerzve që kanë dashuri të madhe ndaj klubit ikonik, arritëm të organizohemi. Personi kyq për këtë riorganizim të shpejtë është kryetari i qytetit, Agim Aliu, që gjithnjë ka qenë lokomotiva e klubit. E kaluam krizën, i mblodhëm forcat dhe fituam Kupën e Kosovës”, ka shtuar Zherka.
Shpresohet që kjo energji do të bartet edhe në plejof, ku zhvillohet gara përfundimtare për titull të kampionit. Në gjysmëfinale të plejofit, Kastrioti luan sërish me Besa Famgasin nga Peja. Ndeshja e parë është të mërkurën apo të enjten në palestrën me emër të madh e që ofroi atmosferë madhështore të dielën mbrëma.