Hendboll

Ferizaj i bashkohet Istogut në finalen e Kupës

KHF Ferizaj

Klubi i hendbollit të femrave, Ferizaj, ashtu siç pritej, nuk ka hasur në telashe në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës përballë hendbollisteve të Samadrexhës.

Ferizaj të shtunën në ndeshjen e dytë gjysmëfinale te hendbollistet, fitoi me rezultatin 24:19 dhe ka avancuar në finalen e Kupës së Kosovës.

Ndeshja u zhvillua në palestrën “Karagaçi” në Pejë, dhe i ka takuar në tërësi skuadrës së Ferizajt.

Pjesa e parë ishte pak më e niveluar, por Ferizaj sërish shkoi në pushim me tri gola dallim, 16:13.

Dallimi u bë në pjesën e dytë, kur Ferizaj u shkëput në rezultat dhe e mbajti epërsinë deri në fund, për të fituar me pesë gola epërsi.

Me shtatë gola te Ferizaj u dallua Sabrina Mar Mirinigo. Në fitore me nga katër gola kontribuuan edhe Anja Bojaniq dhe Amanda Caroline Stein.

Te Samadrexha, Rabia Oz dhe Sevdanur Ozkan patën nga katër gola të realizuar, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.

Ferizaj dhe Istogu në finale të Kupës së Kosovës takohen nga ora 15:00, në palestrën “Karagaçi”.

Ferizaj është lider i elitës së hendbollit kosovar në konkurrencën e femrave dhe në plejof, do të startojë nga pozita e parë.

Por dominimin e Istogut synon ta ndalë që në Kupën e Kosovës.