Hendbollistet e Ferizajt janë fituese të Superkupës së Kosovës në edicionin “Izet Gjinovci”.
Ferizaj të shtunën pasdite në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec ishte më i suksesshëm se Istogu në ekzekutimin e penalltive.
Ferizajaset e fituan ndeshjen me rezultatin 36:34.
Koha e rregullt dhuroi hendboll të fortë, ndërsa pas 60 minutave, rezultati ishte i barabartë, 32:32.
Istogaset kishin epërsi gjatë gjithë kohës, por sfida u bë dramatike në minutën e fundit. Në minutën e 59-të, Ferizaj e barazoi rezultatin dhe fituesi u vendos në penallti.
Për hendbollistet e Ferizajt ishte trofeu i parë i Superkupës së Kosovës, ndërsa në këtë vit e fitoi edhe Kupën e Kosovës.
Edicioni i sivjetmë i Superkupës i kushtohet Izet Gjinovcit, i cili u nda nga jeta më 5 gusht. Ai thuajse gjithë jetën ia kushtoi zhvillimit të hendbollit të Kosovës dhe për mbi dy dekada e mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës.