Sporte të tjera

Federata e Notit “në fund” të pishinës

Federata e Notit

“Ky vendim i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Llozanë nuk është fitore vetëm për Federatën e Notit të Kosovës, por për tërë sportin kosovar”.

Kështu shkruan në një postim të Federatës së Notit të Kosovës të 9 shkurtit, ku paraqitet “fitorja” në gjykatën kryesore ndërkombëtare sportive ndaj notarit Adell Shaboviq.

Shtatë muaj më pas, FNK-ja ka prekur pikë shumë të ulët, sidomos sa i takon raporteve me World Aquatics, Federatën Ndërkombëtare të Sporteve të Ujit. 

Të enjten, kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri, është suspenduar nga World Aquatics, me vendim të Njësisë për Integritet të Sporteve të Ujit (Aquatics Integrity Unit). Ai është suspenduar dhe pritet të dënohet pikërisht për diskriminim ndaj Adell Shaboviqit, por edhe ndaj notares Hana Beiqi.

Ndër të tjera Shaboviqi ishte quajtur “serb e rus”. Në fakt në faqen zyrtare ka ende komente ku Shaboviqi quhet “serb e rus”, madje të bëra edhe nga pjesëtarë të komunitetit të notit kosovar.

Shaboviqi ka prezantuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Ai është i lindur e i rritur në SHBA, ku edhe jeton. Babai i tij është me prejardhje nga Peja.

Fyerjet me “serb e rus” të Shaboviqit janë paraqitur edhe në dosjen kundër Zeqirit. Ai është kryetari i parë i një federate sportive kosovare që suspendohet nga federata përkatëse ndërkombëtare.
Federata e Notit e Kosovës të shtunën prezantoi një letër të shkruar me dorë, të dorëheqjes së parevokueshme të Zeqirit nga pozita e kryetarit të FNK-së. Letra është e protokolluar dhe përmban nënshkrimin e Agron Zeqirit.

“Çështja lëndore e akuzave ndaj presidentit të FNK-së është gjuha kriminale ndaj zyrtarëve të WA, Dale Neuberger dhe Brent Nowicki, diskriminimi dhe RACIZMI ndaj Saboviqit me prova nga Besim Aliti dhe Ismet Krasniqi nga KOK, letra anonime dhe informacione nga sinjalizuesit. Posedoj të gjitha provat për skenarët e individëve, zyrtarëve KOK-WA-ish-zyrtarët e FNK-së (prova nga CAS-i që më janë proceduar) dhe këto akuza të pabazuara do t’i atakoj në WA në afat. Deklaroj se këto veprime janë ndërhyrje direkte në procesin zgjedhor në FNK të paraparë për 2 nëntor dhe për shkak të procesit dhe interesave madhore sportive të RKS-së, tërhiqem nga posti i presidentit të FNK-së dhe gjitha aktivitetet e FNK-së. Sanksionet eventuale nga WA do të jenë vetëm ndaj një individi e jo atakime ndaj institucionit apo organi të FNK-së”, shkruan në letrën e dorëheqjes së Zeqirit.

Ai ka akuzuar për përfshirje direkte në proces të të dy drejtuesve kryesorë të Komitetit Olimpik të Kosovës. 

KOK-u në fakt ka qenë pjesë e procesit dhe ka kërkuar përmes disa letrave që të mos diskriminohet Shaboviqi, por edhe Hana Beiqi. 

Zeqiri po ashtu ka njoftuar përmes letrës se nuk e pranon propozimin që të dënohet me pezullim katërvjeçar nga të gjitha aktivitetet e notit dhe me gjobë prej 25 mijë dollarëve. Ai ka kohë deri më 20 shtator që të përgjigjet në Njësitin që e suspendoi. Nëse nuk përgjigjet ky propozim kthehet në vendim. Nëse përgjigjet, do të ketë rast gjyqësor.

Në Kosovë ende nuk ka mjaftueshëm pishina të denja të mbyllura. Kjo vlerësohet se po e godet fuqishëm zhvillimin e këtij sporti. Por goditjet notit nuk i janë ndalur as nga ndarjet e komunitetit të këtij sporti në dy grupe. Në këto ndarje është përfshirë edhe “rasti Shaboviq”.

Ai kishte ardhur vitin e kaluar në Kosovë dhe kishte shprehur interesim që të garojë për Kosovën, vendin e prejardhjes. Nga ish-drejtues të FNK-së i ishte thënë se mund të garojë për Kosovën nëse ka rezultate më të mira se notarët që aktivitetin e zhvillojnë në Kosovë. 

Udhëheqësia aktuale e FNK-së më pas i kishte lëshuar një letër se mund të garojë për Kosovën nëse i ka rezultatet më të mira. Por pasi nuk u përzgjodh për Botëror, ndonëse kishte rezultatet më të mira, Shaboviqi iu drejtuar CAS-it në Llozanë. Rastin e humbi pasi nuk iu përmbajt procedurave, përkatësisht pasi nuk i ishte drejtuar fillimisht gjykatës së arbitrazhit sportiv në Kosovë.

Atë vendim të CAS-it në Llozanë, FNK-ja e kishte paraqitur si fitore të madhe, por i gjithë procesi po del të jetë humbje e madhe për FNK-në dhe notin kosovar.

Në dy Botërorët e fundit nuk ishte dërguar as Hana Beiqi, e vlerësuar notarja më perspektive në vend. Në këtë mënyrë, në bazë të një kushtëzimi që World Aquatics e hoqi ndërkohë, Hana nuk mund të paraqitej në Lojëra Olimpike. Kusht ishte që notari që paraqitet me ftesë për universalitet të ketë marrë pjesë në njërin prej dy botërorëve të fundit. Këtë kusht, që nuk e plotësonin Beiqi e Shaboviq, e hoqi World Aquatics edhe për shkak të diskriminimeve që ishin bërë në Kosovë.

Në fund  World Aquatics përzgjodhi Shaboviqin dhe Beiqin që ta prezantojnë Kosovën në Lojëra Olimpike me ftesë për universalitet, kurse KOK-u e aprovoi këtë. 

FNK-ja asnjëherë nuk u pajtua që Shaboviqi të garojë për Kosovën në Olimpiadë dhe nuk e prezantoi garën e tij në faqen zyrtare. Ka shkruar për Beiqin dhe garën e saj në Olimpiadë, por jo për Shaboviqin.
Ndër të tjera janë bërë edhe akuza nga drejtuesit e FNK-së ndaj dy zyrtarëve të lartë të World Aquatics. Akuzat ndaj zyrtarëve të tyre, federatat ndërkombëtare sportive i pranojnë shumë rëndë, sidomos kur vijnë nga vende të vogla e pa asnjë ndikim.

Kjo natyrisht ka ndikuar që raportet e FNK-së me World Aquatics të mos jenë të duhurat. Suspendimi i Zeqirit vetëm e konfirmon këtë.

Pas dorëheqjes së Zeqirit, FNK-në deri më 2 nëntor, kur janë zgjedhjet e ardhshme, e drejton nënkryetari Bashkim Haxhimusa. FNK-ja ka lëshuar një komunikatë të gjatë ku shpreh përkushtimin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe promovimin e notit. Është shkruar se qëndron fuqishëm kundër çdo diskriminimi dhe padrejtësie. Deklarata natyrisht është përpjekje për të përmirësuar raportet me World Aquatics dhe për të përmirësuar imazhin në publik. Dëmi megjithatë nuk është i vogël, ndërsa pjesë e gjitha këtyre zhvillimeve ishin edhe drejtues të tjerë të FNK-së, të paktën me paraqitje në konferenca për shtyp ku ishin bërë akuza e akuza.

Ndarjet në komunitetin e vogël të notit vazhdojnë. Priten zhvillime deri në mbajtjen e kuvendit zgjedhor, por FNK-ja aktualisht është thuajse në “fund të pishinës”.