Dy dekada më parë, më 18 dhjetor 2004, Federata e Hendbollit e Kosovës u bë anëtare me të drejta të kushtëzuara, përkatësisht anëtare e asociuar e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF). Vendimi vlerësohej historik atëbotë dhe vazhdon të vlerësohet shumë i rëndësishëm.
Skuadrat kosovare të hendbollit nisën me paraqitje në garat evropiane që në edicionin pasues, 2005/06. Kjo në fakt ishte vlera kryesore e vendimit – thyerja e izolimit shumëvjeçar për klubet kosovare të hendbollit.
Prej federatave sportive kosovare, vetëm ajo e pingpongut ishte pranuar më herët, në vitin 2002.
Pranimit të kushtëzuar të FHK-së në EHF i parapriu një fushatë e gjatë dhe goxha aktive e lobimit. Drejtuesit e atëhershëm të FHK-së, kryetari Mexhid Devaja dhe sekretari i përgjithshëm, tashmë i ndjeri Izet Gjinovci, për shumë vjet rresht kishin zhvilluar takime të shumta me drejtues të federatave nacionale, por edhe me drejtues e zyrtarë të EHF-së.
Vendimi u mor në Kongresin e Jashtëzakonshëm të EHF-së të mbajtur në Budapest. Vendimi u mor me 20 vota pro, dhjetë abstenime e gjashtë kundër, shkruan në historikun e hendbollit kosovar të publikuar në faqen zyrtare të EHF-së.
Mexhid Devaja përmes një postimi të bërë të mërkurën ka shkruar se ai vendim ndryshoi historinë e hendbollit kosovar.
“Sot ndalemi për të reflektuar mbi një ngjarje që jo vetëm ndryshoi historinë e hendbollit të Kosovës, por u bë gurthemeli i ndërkombëtarizimit të sportit tonë në përgjithësi. Plot 20 vjet më parë, më 18 dhjetor 2004, Federata e Hendbollit e Kosovës u pranua në Federatën Evropiane të Hendbollit, duke u bërë federata e parë e sporteve ekipore nga Kosova që theu izolimin dhe hapi një dritare të re drejt botës”, ka shkruar Devaja. “Ajo ditë ishte përmbushja e një ëndrre, por gjithashtu kulmi i një rruge të vështirë, të mbushur me sfida, përballje dhe sakrifica të panumërta. Ishte koha kur emri i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk njihej zyrtarisht, kur identiteti ynë kërkonte një zë, dhe kur çdo hap për të dalë nga hija e harrimit kërkonte guxim të paepur dhe një vizion të qartë”, vazhdon shkrimi i Mexhid Devajës.
Derisa po pritej vendimi i EHF-së, Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll po merrte pjesë në një turne ndërkombëtar në Luksemburg.
Ali Salihu, ish-hendbollist i Kosovës, ka kujtuar atë moment.
“Në një nga tavolinat tona cingëroi një telefon dhe kuptuam se ishte një thirrje nga udhëheqësit e Federatës tonë të Hendbollit, të cilët po merrnin pjesë në kongresin e radhës të EHF në Budapest. Morëm lajmin se u pranuam në EHF. Filluam festën. Hendbollistët holandezë që ishin në të njëjtën sallë me ne dhe kundër të cilëve do të luanim atë mbrëmje, njëherë reaguan pak çuditshëm me festën tonë, por pastaj u gëzuan dhe festuan me ne. Ky lajm na dha krahë. Fituam ndaj holandezëve 30:26. Në atë mbrëmje ndoshta do të fitonim edhe kundër çdo ekipi, aq shumë ishim të motivuar”, ka shkruar Salihu.
Kaloi edhe një dekadë prej atij vendimi para se FHK-ja të pranohej me të drejta të plota në EHF. Vendimi u mor në shtator 2014, para se Kosova të njihej nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Skuadra pejane Besa, atëbotë e njohur si Besa Famiglia e tani si Besa Famgas, zhvilloi ndeshjen e parë në Kupa Evropiane. Më 3 shtator 2005, Besa u takua në Pejë me skuadrën holandeze Bevo Pannningen. Humbi 29:28 në një atmosferë të bukur sportive.
Për dy dekada në skenën evropiane klubet kosovare të hendbollit nuk kanë bërë ndonjë ecje të madhe. Më së shumti e kanë kaluar nga një kundërshtar evropian, ndërsa kundërshtari i dytë në çdo edicion ishte i pakalueshëm. Është shpresuar për ecje dukshëm më të madhe në kohën kur u mor vendimi.
Pavarësisht kësaj, ai vendim i 18 dhjetorit 2004 mbetet prej më të rëndësishmëve në historinë e hendbollit, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.