Volejbollistet e Dritës kanë zhvilluar ndeshje shumë të fortë në udhëtim te Skenderaj. Dhe në fund fituan me rikthim të rezultatit në ndeshjen dramatike. Drita duelin e dytë të finales së plejofit e fitoi me rezultatin 3:2 në udhëtim.
Me të njëjtin rezultat kishte fituar edhe në ndeshjen e parë në shtëpi.
Tani është një fitore larg titullit.
Në praninë e një numri të madh shikuesish të enjten mbrëma në palestrën “Ilaz Kodra” në Skënderaj, vendëset i fituan dy setet e para.
Me rezultatin 25:17 e fituan setin e parë, kurse në setin e dytë triumfuan me rezultatin 25:21. Por, volejbollistet e Dritës u kthyen fuqishëm më pas. Në vetëm 13-të pikë e ndalën Skënderajn në setin e tretë duke fituar 25:13. Në setin e katërt fituan 25:22. Seti i pestë ishte shumë i niveluar, por Drita fitoi në fund me rezultatin 15:11.
Tani e ka shansin që ta fitojnë një tjetër titull dhe ta festojnë atë në shtëpi. Dueli i radhës luhet të dielën në Pallatin e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan. Skuadra që realizon tri fitore e fiton titullin.
Edhe volejbollistët e Pejës janë afër që ta festojnë titullin pasi e kanë fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Skënderbeut. Peja pas fitores 3:0 në “Karagaçi” ditë më parë, fituan edhe të enjten mbrëma në Lipjan me rezultatin 3:1 në sete. Edhe te meshkujt, skuadra që arrin tri fitore e fiton kampionatin.