“Udhëtimi prej 22 vjetësh në errësirë, përfundon sot”.
Ky ishte titulli i shkrimit që KOHA Ditore e botoi më 9 dhjetor të vitit 2014 e që paralajmëronte pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Pranimi i plotë, që hapi dyert e mëdha për sportistët kosovarë, ashtu si pritej, ndodhi më 9 dhjetor 2014.
Për një dekadë, Kosova është bërë anëtare e rëndësishme e familjes olimpike, përkatësisht e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Janë fituar medaljet më të mëdha në ngjarjet më të rëndësishme, ndër të tjera.
Në dhjetorin e 2014-s jo të gjithë mund të kenë besuar se dhjetë vjet më pas Kosova do t’i ketë plot pesë medalje olimpike. Kosova i ka këto medalje, madje tri prej tyre të arta. Këto medalje në një mënyrë janë shpërblim për vendimin e IOC-së për ta pranuar Kosovën. E në anën tjetër dëshmojnë se sa i rëndë ishte diskriminimi që iu bë sportistëve të Kosovës për më shumë se dy dekada.

Sportistë të shumtë të Kosovës nisën dhe përfunduan karrierën duke ëndërruar që të paraqiten në Lojëra Olimpike, apo në ngjarje kualifikuese për Lojëra Olimpike. Disa edhe e kishin nivelin për t’u kualifikuar në Lojëra Olimpike, por jo edhe mundësinë. Në Barcelonë, Atlanta, Sidnej, Athinë, Pekin dhe Londër u mbajtën edicionet e Lojërave Olimpike Verore, në të cilat nuk u lejuan sportistët e Kosovës.
Komiteti Olimpik i Kosovës u themelua më 27 maj të vitit 1992. Kishte shpresë, apo më e drejtë, kishte ëndrra, që Kosova mund të lejohej të garonte në Lojërat Olimpike Verore “Barcelona 1992” të mbajtura prej 25 korrikut deri më 9 gusht të atij viti. Por, pas Barcelonës 1992, u mbajtën edhe pesë edicione të Lojërave Olimpike Verore pa Kosovën pjesë të tyre. Pritej vendimi që u mor më 9 dhjetor 2014.
Vendimit të një dekade më parë i hapi rrugë vendimi i Bordit Ekzekutiv të IOC-së, që u mor më 22 tetor 2014, për pranim të Komitetit Olimpik të Kosovës si anëtar të përkohshëm. Dhe pas pranimit të përkohshëm, sipas procedurës, pranimin e plotë e bëri Sesioni i IOC-së. Paraprakisht ishin plotësuar kriteri teknik dhe ai politik, që ishin shfrytëzuar si arsyetim për të mbajtur sportistët e Kosovës jashtë familjes olimpike botërore.

Të gjithë janë pajtuar që pranimi erdhi shumë vonë dhe që sportistët kosovarë e Kosova në përgjithësi kanë humbur shumë nga izolimi prej 22 vjetësh.
Vlerësimi i Besim Hasanit
Procesin e lobimit të Komitetit Olimpik të Kosovës për pranim në IOC prej viti 1996 e udhëhoqi Besim Hasani. Ai ishte në krye të KOK-ut edhe kur u mor vendimi historik.
Hasani ishte president i Komitetit Olimpik të Kosovës nga viti 1996 e deri në mars të vitit 2021. Vazhdon të jetë kontribuues në sport.
“Njohja e KOK-ut nga Sesioni i 127-të i Komitetit Olimpik Ndërko

mbëtar me vota unanime, është gjëja më e bukur dhe më e dobishme që i ka ndodhur lëvizjes olimpike dhe sportive të Kosovës”, ka thënë Hasani të dielën për KOHËN.
“Në planin personal, njohja e KOK-ut nga KON-i paraqet arritjen time më të madhe si administrator i sportit, e që pason edhe me ndarjen nga KON-i të Urdhrit Olimpik, çmimi më i lartë i Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare. Në perspektivën e përgjithshme, kjo njohje u prin zhvillimeve të mëvonshme kruciale për çdo sportist, trajner dhe administrator sportiv, sepse pasojnë njohjet e federatave kosovare nga federatat ndërkombëtare, duke kulmuar më vonë me fitimin e medaljeve olimpike që e ngritin imazhin e Republikës së Kosovës në piedestal”, ka shtuar Besim Hasani.
Ai thekson se vendimi i IOC-së ka pasur dhe ka ndikim të madh edhe në rrafshin politik.
“Njohja e KOK-ut nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar fiton në rëndësi për faktin që shteti ynë i pavarur është dashur të jetë i njohur si shtet i pavarur nga Komuniteti Ndërkombëtar, përkatësisht OKB-ja. E mbështes opinionin e ekspertëve të fushës që kjo njohje i ka ndihmuar edhe proceset politike në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin ndaj sportistëve, trajnerëve dhe administratorëve sportivë për këtë arritje, do të thosha shekullore”, ka theksuar Besim Hasani.

Momenti i historisë
Kosova ishte bërë anëtarja e 205-të e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Sesioni i Jashtëzakonshëm i IOC-së e mori vendimin në Monako, pa asnjë votë kundër.
“Është një ditë e madhe, një ditë historike për sportistët e Kosovës”, deklaronte Hasani para anëtarëve të IOC-së, pasi u votua pranimi i Kosovës.
Thomas Bach ishte në krye të IOC-së kur u mor vendimi. Gjermani Bach ka ardhur për vizitë në Kosovë në dhjetëvjetorin e pranimit. Për Bachun është vizita e dytë në Kosovë.
“Ishte një vendim shumë i rëndësishëm, sidomos për sportistët e Kosovës. Tani ata mund të përgatiten për Rio”, deklaronte Bach pas Sesionit të Jashtëzakonshëm të IOC-së.
Ashtu si pritej, njohja nga IOC-ja hapi dyert për anëtarësimin e federatave kosovare në federatat ndërkombëtare të sporteve përkatëse. Para vendimit të IOC-së, shumica e federatave nuk ishin pjesë e asociacioneve ndërkombëtare. E fundit prej federatave të mëdha u pranua ajo e futbollit, në vitin 2016.
Debutimi me medalje
Menjëherë në vitin 2015, Kosova debutoi në ngjarjet shumësportëshe. Në Baku të Azerbajxhanit, prej 12 deri më 28 qershor, u mbajt edicioni i parë i Lojërave Evropiane. Komiteti Olimpik i Kosovës dërgoi ekip të madh sportistësh, por edhe zyrtarësh. Medalje të bronztë fitoi Nora Gjakova në xhudo. U vlerësua medalje me vlerë të jashtëzakonshme, sidomos për imazhin e Kosovës. Majlinda Kelmendi mungoi në atë ngjarje për shkak të një lëndimi.
Në vitin 2016, Kosova debutoi në Lojërat Olimpike Verore. Në Rio të Brazilit, Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë olimpike. Dhe përfundimisht u konfirmua se izolimi shumëvjeçar kishte çmim të lartë.
Në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021 për shkak të pandemisë, medalje të arta fituan Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Në “Paris 2024”, medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi, ndërsa medalje të bronztë fitoi Laura Fazliu. Pra të gjitha pesë medaljet olimpike të Kosovës janë fituar në sportin e xhudos.
Medalje të tjera janë fituar në Lojëra Evropiane, Lojëra Mesdhetare e ngjarje olimpike për të rinj. Kosova është paraqitur edhe në Lojërat Olimpike Dimërore.
Vendimi i 9 dhjetorit 2014 ka vlerë shumë, shumë më të madhe. Ai vendim mundësoi që Kosova të garojë e barabartë në të gjitha sportet dhe të jetë në të gjitha ngjarjet.
Është ekipi i kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka, që ka bërë dallimin në këtë dekadë të Kosovës në IOC. Shkëputja e këtij ekipi me pjesën tjetër të sportistëve kosovarë sa shkon e rritet.
Në fakt niveli që kishte arritur xhudoja kosovare prej vitit 2009 e tutje, e sidomos në vitet 2013 e 2014, vlerësohet se rriti shumë presionin në IOC për të bërë zgjidhje për sportistët kosovarë.
“Ishte një punë e madhe pa ndalur, e përcjellë me suksese. Ndër të tjera, Majlinda fitoi tituj të botës në vitet 2013 e 2014. U shpall më e mira në botë pikërisht në vitin 2014. Cilësohej nga ekspertët botërorë si kandidate për të artën olimpike. E gjithë kjo përcillej nga puna serioze e federatës sonë, e KOK-ut dhe e Qeverisë së asaj kohe. Këto ishin shtytje që IOC-ja të pranojë Kosovën në familjen olimpike. Për dhjetë vjet, xhudoja kosovare nuk është ndalur. U fituan të artat olimpike nga Majlinda e më pas nga Distria e Nora. Në Paris i fituam edhe dy medalje olimpike, që sërish ishin të vetmet për Kosovën. Janë medalje shumë të mëdha për një vend të vogël. Është kënaqësi që Bachu vjen në Kosovë. E veçanta është që ka kërkuar takim të veçantë me federatën e xhudos dhe kampionët tanë”, ka theksuar Driton Kuka për KOHËN.
Urimi i Ismet Krasniqit
Ka shumë sfida me të cilat përballet sporti kosovar dhe lëvizja olimpike në vend edhe një dekadë pas pranimit. Pranimi në IOC ka krijuar mundësi për prezantim të barabartë ndërkombëtar, por jo të gjitha federatat e kanë shfrytëzuar këtë, sa u takon rezultateve të arritura. Për shumë vjet, federatat e kishin arsyetuar ngecjen me pamundësi të prezantimit në nivelet ndërkombëtare. Dhe vendimi i IOC-së zbuloi nivelin e tyre të vërtetë dhe paaftësinë organizative dhe ngritjes së mëtejme.
Sfidat e veta i kishte nga themelimi dhe i ka edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, që prej vitit 2021 për president e ka Ismet Krasniqin. Ai e vlerëson moment historik pranimin në IOC. Sipas Krasniqit, vendimi i prezantuar nga Bachu bënte që sportistët e Kosovës të kishin mundësinë për të realizuar ëndrrat e tyre.
“Ky 10-vjetor është një moment historik që na mbush me krenari dhe emocione të thella, është testament i guximit dhe i forcës së popullit tonë, që ka sfiduar çdo kufi, ka tejkaluar çdo pengesë dhe ka ngritur lart flamurin e Kosovës në botën e sportit. Në momentin e paharrueshëm, kur Presidenti Bach e shpalli KOK-un anëtarin më të ri të lëvizjes olimpike në botë, ato fjalë shënuan më shumë se një thirrje, u dhanë zë ëndrrave tona, për të shënuar një histori të re- ato hapën një dritare shprese dhe mundësi për gjithë qytetarët e Kosovës, e veçanërisht sportistët. Gjatë këtyre 10 viteve, e dimë se rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ka pasur sfida, ka pasur dyshime, por më shumë se çdo gjë tjetër, ka pasur besim dhe guxim”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka falënderuar të gjithë që kontribuuan që Kosova të jetë në familjen olimpike. Ka veçuar ish-presidentin Hasani.
“Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, nisur nga ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, një njeri që, në momentet më të vështira, qëndroi i palëkundur si një shtyllë, duke udhëhequr me pasion dhe përkushtim të pashoq, si dhe drejtuesit e federatave, sportistët, trajnerët dhe të gjithë ata që kontribuuan që ne sot t’i shohim sportistët tanë në Lojërat Olimpike dhe ngjarjet e tjera, duke lartësuar flamurin tonë”, ka thënë Ismet Krasniqi.
KOK-u të hënën e shënon dhjetëvjetorin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ka organizuar ceremoni të veçantë që madhështohet me praninë e presidentit Thomas Bach.