Hendbollistët e Danimarkës e kanë fituar për herë të katërt rresht Kupën e Botës.
Danezët e udhëhequr nga lojtari më i vlefshëm i Kampionatit Botëror, Mathias Gidsel, e mposhtën Kroacinë 32:26 në finalen emocionuese e të mbushur plot me shikues në palestrën “Unity Arena” në Oslo. Gidsel u shpall edhe golashënuesi më i mirë me 74 gola në Botërorin e organizuar në Kroaci, Danimarkë e Norvegji.
“Ne asnjëherë nuk e marrim si të sigurt triumfin. Çdo herë kur hyjmë në këtë turne, ulemi si grup dhe mundohemi të diskutojmë për të qenë më të mirë. Edhe pse vinim si kampion olimpik dhe fitues i trefishtë i Kupës së Botës, ulemi dhe diskutojmë. Ndonjëherë trajneri na thotë se jemi duke luajtur me vetëm 80 për qind të forcës. Kjo tregon anën tonë si njerëz dhe si lojtarë. Mundohemi gjithmonë të përmirësohemi, edhe pse e dimë se ndoshta jemi skuadra më e mirë. Jemi këtu edhe një herë tjetër dhe do të mundohemi të shkruajmë histori tjetër”, ka deklaruar Gidsel pasi e pranoi çmimin e lojtarit më të vlefshëm të turneut për herën e dytë rresht. Më i miri ishte shpallur edhe në vitin 2023.
Ishte fitorja e 37-të rresht në ngjarjen globale për Danimarkën e pamposhtur. Skuadra skandinave e fitoi pjesën e parë 16:12. Në pjesën e dytë nuk pati telashe dhe e fitoi medaljen e artë për herën e katërt rresht, pas triumfeve në vitet 2019, 2021 dhe 2023. Gidsel shkëlqeu me dhjetë gola gjithsej.
Në praninë e 13 mijë e 300 shikuesve që krijuan atmosferë të shkëlqyer, Domagoj Duvnjak e mbylli karrierën me Përfaqësuesen e Kroacisë. Ai kishte njoftuar më herët se do ta mbyllte karrierën. 36-vjeçari u përshëndet me medalje të argjendtë botërore e evropiane, si dhe me medalje të bronztë nga Lojërat Olimpike.
Loja e zjarrtë në fushën e lojës, pati ndikim edhe te të pranishmit në palestër. Hendbollistët kroatë ishin shumë agresivë në ndërhyrje dhe në raste ndalën kundërshtarët edhe në mënyrë jo të lejuar. Në disa momente kishte edhe tensione mes hendbollistëve. Pas 20 minutave lojë, Marko Mamiq i Kroacisë u përjashtua me të kuq.
Danimarka në pjesën e parë, edhe për meritë të kroatëve, nuk e pati shkëlqimin si në ndeshjet e tjera. Ylli i vetëm ishte Emil Nielsen në portë. Falë pritjeve të tij, Danimarka favorite kishte katër gola epërsi pas pjesës së parë.
Por, njësoj si në gjysmëfinale kundër Portugalisë, Danimarka e rriti ritmin e lojës pas pushimit dhe krijoi epërsi edhe deri në shtatë gola. Ndryshe nga danezët, kroatëve nuk u funksionoi loja e shpejtë. Dhe ndeshja u vendos pas 35 minutave. Te kroatët ndikoi lodhja, e që u shfrytëzua nga danezët. Ndërkohë, Franca që mban rekordin me gjashtë trofe të fituar, u stolis me medalje të bronztë pasi fitoi ndaj Portugalisë, befasisë së këtij Botërori, në ndeshjen për vend të tretë. Francezët triumfuan me rezultatin 35:34. Për Francën ishte medalja e 13-të në histori të kampionateve botërore, me gjashtë të arta, dy të argjendta e pesë të bronzta.