Sporte të tjera

Colturi në mesin e dhjetë më të mirave

Lara Colturi

Skitarja italiane që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, është renditur në pozitën e shtatë në garën e disiplinës së sllallomit të madh.

Pas sukseseve që pati më herët në garat e skijimit, Colturi arritjen e fundit e regjistroi në Kampionatin Botëror të skijimit alpin, që po organizohet në Saalbach të Austrisë.

“Lara Colturi do të garojë të shtunën në sllallom, ku synon të arrijë në zonën e medaljeve. Kualifikimin për në finalen e sllallomit të madh e ka arritur edhe Denni Xheka, që do të garojë të premten”, ka shkruar të enjten Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

I lumtur me paraqitjen e Colturit të enjten ishte edhe Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.

“Rezultatet e Lara Colturit janë historike dhe na bëjnë të ëndërrojmë për Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’”, ka deklaruar Presidenti Ylli.

Colturi në podiumin e garave të mëdha në skijim ishte ngjitur në nëntorin e vitit të kaluar, kur e kishte zënë vendin e dytë në garën e Kupës së Botës në Gurgl të Austrisë, në sllallom.

Vend të dytë në Kupë të Botës, Colturi zuri edhe në shtegun e Kranjska Goras së Sllovenisë.

Colturi është 18-vjeçare, ndërsa Shqipërinë e përfaqëson prej vitit 2022.