Sporte të tjera

Besa Famgas synon vazhdimin e dominimit, Rahoveci titullin e parë

hendboll

Ishte edicioni 2012/13, kur Besa e Pejës për herë të fundit nuk e fitoi titullin e kampionit të Kosovës. Fillimisht si Besa Famiglia e më pas si Besa Famgas, skuadra pejane ka dominuar plotësisht prej atëherë në Superligën e Kosovës në hendboll. I ka dhjetë tituj rresht të kampionit.

Situata ndryshoi këtë edicion. Në stinorin e rregullt dominoi Rahoveci, që vetëm pak vjet më parë u bë prej skuadrave të rëndësishme në hendbollin kosovar. Rahoveci e mbylli stinorin e rregullt me 27 fitore e një humbje. Besa Famgas mbeti e dyta me 24 fitore e katër humbje.

Disfatën e vetme Rahovecit ia shkaktoi pikërisht Besa. Më pas skuadra pejane mposhti “vreshtarët” edhe në gjysmëfinale të turneut për Kupë.

Dhe tani Rahoveci e Besa Famgas takohen në finale të plejofit. Ndeshja e parë zhvillohet të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Kampion shpallet ekipi që i shënon dy fitore. Ndeshja e dytë do të luhet mesjavën e ardhshme në Pejë. Ndeshja e tretë eventuale do të jetë sërish në Rahovec. Skuadrës rahovecase këtë ia mundëson pozita e parë në stinorin e rregullt.

Të dy skuadrat e synojnë titullin. Pa kupë mbetën të dyja. Besën në finale e kishte mposhtur Kastrioti i Ferizajt.

Pikërisht Kastriotin, Besa e eliminoi në gjysmëfinale të plejofit, me rezultatin 2:1. Fitoren vendimtare e shënoi të mërkurën mbrëma në Pejë.

Ndërkohë Rahoveci kishte punë dukshëm më të lehtë ndaj Trepçës. Në finale kaloi me dy fitore bindëse.

Rahoveci është në kërkim të titullit të parë të kampionit, përkatësisht të trofeut të parë në hendbollin kosovar. Klubi rahovecas, falë kryesisë serioze, është stabilizuar në vitet e fundit si njëra prej skuadrave më të mira në vend. Ka angazhuar lojtarë cilësorë të vendit e po ashtu disa të huaj. Për trajner e ka Verim Zherkën, njërin prej më të vlerësuarve në vend.

Besa ka mbetur pa disa prej lojtarëve me përvojë. Dy prej tyre kaluan pikërisht te Rahoveci. Por ka mbajtur një pjesë të ekipit, ka angazhuar disa të huaj dhe ndërkohë dolën në skenë disa të rinj me shumë potencial. Trajner është ikona e hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce. 43-vjeçari edhe luan sa herë që ka nevojë, përkatësisht sa herë që Besa Famgas ka ndeshje të forta. Në plejof ka luajtur vazhdimisht. Pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë edhe të shtunën mbrëma në “Mizahir Isma”.

Rahoveci ka bërë fushatë disaditëshe për ta mbushur palestrën me shikues. Numri i shikuesve pritet të jetë i madh e rrjedhimisht edhe presioni ndaj lojtarëve të ekipit pejan.

Në finale te hendbollistet përballen Istogu e Ferizaj. Ndeshjen e parë të zhvilluar në Ferizaj e fituan istogaset. Ndeshja e dytë është të dielën dhe Istogu synon ta mbrojë titullin e kampionit.