Sporte të tjera

BBC shkruan për britanikun që për një dekadë mblodhi fonde për të ndërtuar fushë tenisi në Kosovë

Davide Bryceland

Foto: BBC

Një trajner tenisi tha se ishte i kënaqur që hapi zyrtarisht një fushë tenisi në Kosovë, pasi kaloi thuajse një dekadë duke mbledhur fonde për të. 

David Bryceland nga Altrinchami, ishte vullnetar në një kamp veror në Podujevë në vitin 2016 dhe mbeti i tronditur nga mungesa e aktivitetit sportiv. Që atëherë, ai thotë se ka mbledhur më shumë se 20 mijë funte, në disa sfida, duke përfshirë një maratonë 24-orëshe tenisi për “Manchester Aid to Kosovo” (MAK), për të ndihmuar në financimin e asaj që Federata e Tenisit e Kosovës quajti fushën e parë të tenisit në rajon, në Parkun e Paqes në Podujevë.

35-vjeçari tha se kishte qenë një “punë vërtetë e dashur” dhe se ishte i nderuar që bëri shërbimin e parë të tenisit në “fushën për njerëzit”.

Organizata MAK tha se hapja e fushës ishte një “moment historik”. Sipas organizatës, fusha do të sjellë gëzim në Podujevë si dhe do të përmirësojë shëndetin dhe nivelin fizik të banorëve. 

Organizata bamirëse e vlerësoi Brycelandin për “përpjekjet e tij kolosale për mbledhjen e fondeve” dhe tha se ai kishte qenë katalizatori për një program gjithëpërfshirës falas të tenisit.
MAK e përshkroi atë si një “kampion” të vërtetë.

Trajneri në klubin e tenisit, Hale Village, dhe në klubin Bowdon Bowling & Lawn, tha se ai u frymëzua për të qenë vullnetar në kampin veror të organizuar nga MAK, pasi takoi Saranda Bogujevcin kur ajo jetonte në Greater Manchester. 

Bogujevci, që u qëllua me 16 plumba, dhe që ka gjashtë anëtarë të familjes të vrarë, më pas është bërë deputete në atdheun e saj.

“Kur arrita atje nuk mund të besoja atë që po shihja. Nuk kishte asnjë lloj ambienti për argëtim dhe ndërtesat ishin të mbushura me vrima plumbash. Ishte e pabesueshme, një përvojë vërtetë e veçantë. Në kampin veror mezi zhvillohej ndonjë sport, kështu që vendosa ta prezantoj tenisin”, thotë Bryceland.

Ai është kthyer me një grup vullnetarësh nga zona Altrincham dhe ka dhënë mësime tenisi në fusha të improvizuara në parkingje veturash, duke përdorur litarët si rrjeta dhe konet për të shenjëzuar fushën.

“Është e qartë se nuk ishte ideale, kështu që vendosa të filloj të mbledh para për të ndërtuar një fushë të mirëfilltë”, thotë ai.

“Një qytet si Altrincham ka mbi gjashtë klube tenisi dhe fusha në shkolla. Dhe ne po flasim për një fushë në të gjithë veriun e Kosovës. Fillon të vlerësosh pse u ndieva kaq i motivuar për të bërë diçka. Çdo vit kur shkojmë atje shohim ndryshimin që bëjnë përpjekjet tona në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve që stërvisim. Është shumë shpërblyese dhe nuk mund të jem më shumë i kënaqur që më në fund e kemi arritur qëllimin tonë dhe fusha zyrtarisht është e hapur”, ka thënë Bryceland.

Alice Carroll, e cila po ashtu është mike e Bogujevcit, ka mbështetur përpjekjet e Brycelandit për mbledhjen e fondeve. Ajo u mor me të gjitha burokracitë me autorietet e ndryshme për të marrë miratimin për fushën.

Ajo tregon se po punojnë me Federatën e Tenisit të Kosovës për të ndërtuar më shumë fusha, një objekt për klubin dhe që të trajnojnë një trajner të përhershëm.

“Do të na pëlqente po ashtu të zhvillojmë një program binjakëzimi me klubet në Altrincham dhe përreth tij”, thotë ajo. 

“Ky është vetëm fillimi dhe shpresojmë që një ditë Wimbledoni do të mirëpresë lojtarin e parë nga Kosova”.

Nga organizata MAK, thonë: “Duke filluar nga një fushë e braktisur argjili dhe nga ëndrra e fëmijëve të zhvendosur nga konflikti, Parku i Paqes ka evoluar nga situatat më të tmerrshme në një oazë gëzimi”.
Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadërgjonaj, ka thënë se “fusha do të jetë nxitje dhe frymëzim për shumë fëmijë dhe të rinj që të luajnë tenis, për t’u argëtuar dhe për arritur rezultate sa më të mira në të”.

Ai shtoi se Bryceland, Carroll dhe pjesa tjetër e ekipit të përfshirë në ndihmën për të ndërtuar fushën e parë të tenisit në Podujevë, “do të mbesin miqtë tanë përgjithmonë dhe do të jenë pjesë e historisë së tenisit në Kosovë”./BBC