Austriaku Raphael Haaser është kampion i botës në disiplinën e sllallomit të madh në skijim alpin.
Të premten në Saalbach të Austrisë, ku po mbahet Botërori i skijimit alpin, Haaser fitoi të artën me kohë të përgjithshme prej 2 minuta, 39 sekonda e 71 të qindtat. Dy vendet e tjera në podium i zunë skitarët zviceranë. I dyti ishte Thomas Tumler, që mbeti prapa kampionit për 23 të qindtat. 51 të qindtat prapa austriakut Haaser ishte Loic Meillard.
Ylli i skijimit, zvicerani tjetër, Marco Odermatt mbeti i katërti, 58 të qindtat prapa fituesit. Odermatt, që është kampion olimpik, ishte favorit i madh. Rrjedhimisht pritej dominimi i Zvicrës. Por 27-vjeçari Haaser pati lëshim të dytë shumë të mirë dhe nga vendi i pestë pas lëshimit të parë doli në të parin për ta fituar të artën.
Është suksesi më i madh në karrierë për Haaserin. Austria tani i ka dy të arta në Botëror, sa edhe Italia e SHBA-ja, ndërsa Zvicra udhëheq me tri medalje ari.
“Nuk e di çka të them, është një ditë kaq e pabesueshme”, ka Haaser. Ai nuk ka fitore në garat e Kupës së Botës, por ishte i dyti në Super-G më herët në Botëror.
“Mendova se kisha mundësi të përfundoja në top-10 sot, por jo në krye të podiumit. Nuk e di nga erdhi kjo”.
Gara e sllallomit të madh nisi të enjten me kualifikime. U paraqitën edhe tre skitarë të Kosovës. Më i miri prej tyre ishte Drin Kokaj, që u rendit i 62-ti. Pasi secili shtet e kishte të garantuar pjesëmarrjen me të paktën një skitar në garën kryesore, Kokaj garoi edhe të premten.
Pas lëshimit të parë, të premten, ai ishte i 77-ti, përkatësisht i fundit prej atyre që i shkuan shtegut deri në fund. Koha e tij ishte 1 minutë, 44 sekonda e 35 të qindtat. Ishte për 23.25 sekonda prapa skitarit që ishte më i shpejti në lëshimin e parë, norvegjezit Timon Haugan. I parafundit ishte Matteo Giannin i San Marinos, që ishte për më shumë se tri sekonda më i shpejtë se skitari kosovar.
Skitari i Shqipërisë, Denni Xhepa, në lëshimin e parë u rendit i 45-ti me kohë prej 1:26.79 minuta. Ai u kualifikua për lëshimin e dytë, por jo edhe Kokaj. 60 më të mirët pas lëshimit të parë e fituan të drejtën e lëshimit të dytë.
Në fund, Xhepa ishte i 36-ti me kohë të përgjithshme pas dy lëshimeve prej 2:49.45 minuta.
Skitarët e Kosovës tani do të paraqiten në garën e sllallomit. Nuk pritet ndonjë rezultat më i mirë se në sllallom të madh.