Sporte të tjera

Atletja spanjolle feston para kohe dhe mbetet pa medalje

atletja

Atletja spanjolle Laura Garcia-Caro përjetoi surprizën më të pakëndshme të karrierës, pasi festoi medaljen e “fituar” evropiane para vijës së finishit, por përfundoi në vendin e katërt dhe pa podium.

Në Kampionatin Evropian të Atletikës, i cili po mbahet në Romë, pati disa gara shumë emocionuese dhe dramatike, dhe veçanërisht interesant ishte gara e ecjes së shpejtë prej 20 kilometrash.

Pas gati 90 minutash nëpër rrugët e Romës, Laura Garcia-Caro hyri në fundin e garës duke u ndjerë si fituese e medaljes së bronztë. Spanjollja festoi me entuziazëm “medaljen” ende pa e fituar, por gaboi keq.

Garcia-Caro nuk e pa që pas saj ishte ukrainasja Lyudmyla Olyanovska, e cila arriti ta kapërcejë spanjollen dhe ta fitojë medaljen e bronztë.

Më interesant është reagimi i atletes spanjolle, shprehja e fytyrës të së cilës ndryshoi nga gëzimi i madh në habi në vetëm pak sekonda. Videoja u bë menjëherë virale.

Garcia-Caro mbeti pa medalje. Antonella Palmisano fitoi vendin e parë, ndërsa Valentina Trapletti të dytin.

VIDEO: