Sporte të tjera

Zhvillime dramatike për “Parisi 2024” – federata kundërshton notarin e përzgjedhur për Olimpiadë

Adell Shaboviq

Adell Shaboviq

Adell Shaboviq, do ta prezantojë Kosovën në not, në Lojërat Olimpike. Vendimi është i World Aquatics, ndërsa u pranua nga KOK-u. Që Shaboviq të jetë pjesë e ekipit të Kosovës në Olimpiadë kundërshton Federata e Notit e Kosovës. Por, FNK-ja në dhjetor të vitit të kaluar kishte njoftuar që Shaboviq, do të përfaqësojë Kosovën në gara të notit. FNK-ja thotë se Shaboviq nuk i plotëson kushtet që të garojë për Kosovën. Ndaj tij ka fituar një rast në CAS në muajin shkurt. Në zhvillime është përfshirë edhe Këshilli për Sport dhe Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit (World Aquatics). Gjasat që Shaboviqi të zëvendësohet janë të vogla. Gjitha këto zhvillime vlerësohet se janë goditje e radhës për sportin kosovar

“Hana Beiqi dhe Adell Shaboviq, do ta përfaqësojnë notin e Kosovës në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’”.

Ky është lajmi që të mërkurën e dha Komiteti Olimpik i Kosovës. Hana Beiqi, ishte shumë aktuale disa muaj më parë. Ajo akuzoi Federatën e Notit të Kosovës për diskriminim. Se Hana po diskriminohet vlerësoi edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa FNK-ja mohoi akuzat dhe u kundërpërgjigj me akuza të rënda ndaj KOK-ut.

Pas shumë e shumë zhvillimesh, Hana mori ftesën për ta përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike që nisin pas tri javësh. Pjesëmarrjen e saj nuk e kundërshton Federata e Notit e Kosovës.

Zhvillime shumë interesante, thuajse dramatike, tani ka për notarin Adell Shaboviq  (Sabovic). Sipas njoftimit të KOK-ut, ai është me prejardhje nga Peja, ndërsa është i lindur e i rritur në SHBA, ku edhe jeton. Dhe do ta përfaqësojë Kosovën në “Parisi 2024”, nëse nuk ka ndonjë kthesë dramatike në ditët apo javët e ardhshme.

Por, pjesëmarrjen e Shaboviqit po e kundërshton Federata e Notit e Kosovës. Ky notar më herët e dërgoi FNK-në në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë. E humbi rastin, ndërsa në KOK thonë se vendimi ishte i tillë për mosrespektim procedurash, përkatësisht për faktin që Shaboviqi, fillimisht nuk i ishte drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Kosovë.

Në fakt rasti në CAS ishte mbajtur plotësisht i fshehur deri sa u kthye vendimi. Më 9 shkurt Federata kosovare e notit shpalli fitoren e madhe.

Shaboviq i ishte drejtuar CAS-it pasi FNK-ja nuk ia kishte mundësuar që ta përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Botëror. Pretendimin e tij për të garuar për Kosovën, FNK-ja e kishte konsideruar si të “kundërligjshëm”.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë, kishte konsideruar se nuk ka juridiksion për të vendosur për atë rast.

“FNK-ja fitoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë kundër Adell Shaboviq. Federata e Notit e Kosovës ishte paditur padrejtësisht nga Adell Shaboviq, i cili kundërligjshëm pretendonte të përfaqësonte Kosovën në Kampionatin Botëror të notit në Doha. Ky vendim nuk është fitore vetëm për federatën e notit, por për tërë sportin kosovar”, kishte shkruar FNK-ja.

Por, zhvillimet rreth Shaboviqit kanë nisur shumë muaj më parë. Ky notar, që vlerësohet mbi nivelin e notarëve që i ka Kosova aktualisht, kishte qëndruar në Kosovë vitin e kaluar dhe ishte takuar me ish-drejtues të Federatës së Notit të Kosovës. Ai kishte shprehur dëshirën për të garuar për Kosovën, ndërsa KOHA ka mësuar se nga ish-drejtuesit e FNK-së i ishte thënë se do t’i jepet rasti vetëm nëse ka rezultat për normë olimpike.

Ndërkohë, Shaboviq ishte pajisur me pasaportë të Kosovës.

Dhe, në një zhvillim shumë dramatik e të pa bërë publik deri të enjten, kryetari aktual i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, përmes një letre kishte njoftuar se Shaboviq, prej 1 janar 2024 është anëtar zyrtar i Federatës së Notit të Kosovës. Letra është pjesë e korrespodencës që KOK-u ka zhvilluar me Federatën  Ndërkombëtare të Sporteve të Ujit (World Aquatics) dhe me institucionet e vendit. Qasje në këtë korrespodencë ka pasur edhe KOHA.

Letra me të cilën konfirmohet se Saboviq është anëtar i Federatës së Notit

Letra e FNK-së që i ishte dërguar Shaboviqit, ka këtë përmbajtje: “Adell Sabovic është anëtar zyrtar i Federatës së Notit të Kosovës dhe ai do ta prezantojë FNK-në në garat e organizuara nga FNK-ja apo World e European Aquatics, nga 1 janari 2024, me vendim të Bordit Ekzekutiv të FNK-së të 23 dhjetorit 2023. Urime”, shkruan në letrën që mban firmën e presidentit të FNK-së, Agron Zeqiri.

Përkundër kësaj letre, Shaboviqit nuk iu mundësua nga FNK-ja ta përfaqësojë Kosovën në Botërorin e mbajtur prej 2 deri më 18 shkurt në Doha të Katarit. Nuk i ishte mundësuar as Hana Beiqit.

Deri  në pranverë, pjesëmarrja në njërin prej dy Botërorëve të fundit ishte kusht që një notar të marr ftesë të universalitetit për Lojëra Olimpike. Dhe ai kusht përjashtonte si Hana Beiqin ashtu edhe Shaboviqin. Hana nuk ishte dërguar në asnjërin prej dy botërorëve të fundit.

Por ndërkohë, nisur nga zhvillimet në notin kosovar dhe në disa vende të tjera, World Aquatics e hoqi plotësisht kushtin për pjesëmarrje në njërin prej dy Botërorëve të fundit, kur bëhet fjalë për ftesa. U vendos që ftesë të marrin vetëm notari e notarja me rezultatin më të mirë.

Dhe World Aquatics në Komitetin Olimpik të Kosovës, ka dërguar emrat e Hana Beiqit e Adell Shaboviqit.

Letra e World Aquatics

Federata e Notit e Kosovës nuk e kundërshton pjesëmarrjen e Hanës, që tani ka rezultate më të mira se Eda Zeqiri, pjesëmarrësja e Botërorit. Por, ka kërkuar që në Lojëra Olimpike pos Hanës të dërgohet Mal Gashi, notari që e përfaqësoi Kosovën në Botëror dhe që ka pikët më të mëdha prej atyre që aktivitetin e zhvillojnë në Kosovë.

Ka pasur shkëmbim intensivë të letrave në javët e fundit mes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Notit të Kosovës. Me letrat e dërguara janë njoftuar edhe MKRS-ja dhe Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport. Kryetari i këtij këshilli, prokurori Besim Kelmendi, ka kërkuar raport përmbajtësor nga KOK-u për “delegimin e notarëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike”.

Në letrën e Besim Kelmendit, bëhet e ditur se FNK-ja do ta padisë KOK-in në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë.

Kelmendi ka shkruar në letër që FNK-ja ka kërkuar nga KOK-u “të delegohen emrat e notarit Mal Gashi dhe Hana Beiqi për ta përfaqësuar Kosovën në LO ‘Parisi 2024’ dhe jo emri i notarit Adell Shaboviq, i cili paraprakisht kishte ngritur padi ndaj FNK-së në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë, por që rastin në fjalë i njëjti e kishte humbur. Përveç tjerash, në shkresën e datës 28 qershor 2024, FNK-ja ka njoftuar se nëse dërgohet emri i Adell Shaboviqit për ta përfaqësuar Kosovën në LO Paris 2024, atëherë FNK do ta padis KOK-un pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë”.

Të enjten Kelmendit i është përgjigjur Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sipas letrës së Alitit, KOK-u nuk ka obligim t’u përgjigjet letrave të FNK-së, sepse “KOK-u nuk është organ vendimmarrës në procesin e përzgjedhjes së sportistëve me ftesë të universalitetit”.

Zyrtari i KOK-ut ka shkruar se përzgjedhjen e sportistëve e bën World Aquatics, ndërsa roli i Komitetit Olimpik është të pranojë apo të mos pranojë ftesën për dy sportistët me më së shumti pikë.

KOK-u e ka përmendur letrën që Agron Zeqiri e kishte firmosur më 23 dhjetor 2023, që konfirmonte Shaboviqin si garues të Kosovës. Atë letër KOK-u ka njoftuar se e ka pranuar nga World Aquatics.

“Letra është aq kontradiktore me veprat e bëra nga FNK-ja apo vet kryetari i saj z. Agron Zeqiri, sa që mendojmë se për komprometim të imazhit të KOK-ut, për komunikime të tilla, ky i fundit duhet të marrë përgjegjësi dhe ndaj tij duhet të reagojnë edhe institucionet përkatëse vendore dhe ato ndërkombëtare”, ka shkruar Besim Aliti për Këshillin për Sport.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Aliti, në letër për Këshillin ka shprehur brengën për raportet jo të mira që FNK-ja i ka me World Aquatics.

“KOK është shumë i shqetësuar ndaj mënyrës së komunikimit të FNK-së me World Aquatics, e cila shihet qartë në letrën e dërguar tek ju, ku z. Brent Nowicki, drejtor ekzekutiv i World Aquatics, akuzohet për një letër e cila sipas FNK-së mund të ketë pasoja kriminale dhe ku theksohet se me çfarë të drejte ai si drejtor ekzekutiv komunikon në emër World Aquatics, ashtu siç ishte akuzuar muaj më parë edhe publikisht në media dhe konferenca të ftuara nga z. Agron Zeqiri, edhe z. Dale Neuburger, arkëtar i World Aquatics nga po i njëjti, me pretendime për trukim të rezultateve të Hana Beiqit. Ky nivel i komunikimit me instancat më të larta sportive, është i papranueshëm në nivel sportiv ndërkombëtar dhe është në kundërshtim me normat etike dhe morale, të cilat janë jetike për funksionimin e federatave botërore. Fatkeqësisht, komunikimi i tillë mund të ketë pasoja të pariparueshme për sportin e Kosovës, respektivisht notin e Kosovës”, ka shkruar Aliti.

Në një letër shumë të gjatë, Federata e Notit e Kosovës ka paraqitur argumentet e saj se pse Mal Gashi duhet ta prezantojë Kosovën në Lojëra Olimpike e jo Adell Shaboviq. Në atë letër të 28 qershorit që i është dërguar KOK-ut, përmendet edhe mundësia e dërgimit të rastit në CAS në Llozanë.

Federata e Notit ka shkruar se Shaboviqi është bërë pjesë e federatës me vendim të 9 dhjetorit 2023, por se ai nuk ka plotësuar kushtet që të paraqitet në Botëror. Sipas FNK-së, “një garues për ta përfaqësuar Kosovën duhet të marr pjesë në kampionatin shtetëror, të paraqitet në gara kualifikuese, t’u përmbahet procedurave dhe t’i plotësojë kushtet tjera, që Shaboviq nuk i plotëson”.

Por, kjo nuk shkruan në letrën e shkurtër që Zeqiri ia ka dërguar Adell Shaboviqit në dhjetorin e vitit të kaluar.

Ndërsa në letrën e gjatë të 28 qershorit, FNK-ja përmend shumë e shumë arsye pse, sipas saj, Shaboviq nuk  mund të jetë në Olimpiadë si garues i Kosovës.

KOHA i ka shkruar FNK-së të mërkurën lidhur me një qëndrim për zhvillimet e fundit.  Por, nuk ka pranuar përgjigje. Ndërkohë, nuk ka as ndonjë postim në faqen zyrtare të Federatës së Notit të Kosovës.

Drejtues aktualë të KOK-ut dhe drejtuesit aktualë të FNK-së para Olimpiadës në Tokio kishin raporte shumë të mira. Dhe madje trajneri i notit për Olimpiadën e Tokios ishte ndryshuar pak para ngjarjes. Vendimin e kishte marrë KOK-u dhe ai nuk  ishte bërë publik. Para tri vjetësh, kur u mbajtën Lojërat e Tokios, Federata e Notit kishte drejtues të tjerë. Dhe trajneri i zëvendësuar i takonte grupit që drejtonte federatën.

Zhvillime të tjera priten ditëve të ardhshme sa u takon notarëve të Kosovës që do të garojnë në Olimpiadën e Parisit, përkatësisht sa i takon Shaboviqit. Por gjasat që ai të largohet nga ekipi janë të vogla. Ndërkohë që goditja, e radhës, për notin e sportin kosovar në përgjithësi duket e pashmangshme.

Letra e gjatë e Federatës së Notit