Njëri prej sukseseve të para të mëdha të përfaqësueseve të Kosovës në futboll është ai i grupmoshës U-17 që kaloi raundin kualifikues për “Euro 2019”. Qendërmbrojtësi Valon Zumberi ishte kapiten i ekipit që dy vjet më parë fitoi ndaj Zvicrës dhe Qipros për të fituar grupin dhe për të kaluar në raundin elit. Madje Zumberi, atëherë 15-vjeçar, kishte shënuar golin për fitoren e madhe, 1:0 ndaj Zvicrës.
Zumberi po vazhdon zhvillimin si futbollist te klubi i madh gjerman, Hamburg. Të premten ka bërë një hap që ai e vlerëson shumë të rëndësishëm në karrierë. Në moshën 17-vjeçare është ftuar te përfaqësuesja U-21 e Kosovës. Është ftuar për herë të parë.
“Është hera e parë që jam ftuar në përfaqësuesen U-21. Nuk e kam pritur këtë ftesë, më ka befasuar, por më ka bërë shumë të lumtur në të njëjtën kohë. Tani më mbetet të dëshmoj veten, të tregoj se e meritoj ftesën”, ka thënë Zumberi të premten për KOHËN.
“Jam ende 17-vjeçar dhe është sukses i madh për mua që të luaj për U-21. Do të mundohem të shfrytëzoj maksimalisht rastin e ofruar”, ka shtuar ai.
Selektori i U-21 të Kosovës, Rafet Prekazi, ka publikuar të premten listën për ndeshjet e këtij muaji, me Shqipërinë (13 nëntor) dhe me Turqinë (17 nëntor). Janë ndeshjet e fundit të eliminatoreve për “Euro 2021”. Prekazi ka ftuar shtatë lojtarë për herë të parë. Pos Zumberit debutimin e shpresojnë edhe Diamant Berisha, Florian Seferaj, Alban Shabani, Destan Bajselmani, Bujar Pllana e Albin Kapra. Të gjithë së bashku nuk kanë ndeshje për Kosovën sa ka Zumberi.
“Kam luajtur për U-15, U16, U-17 e U-19 të Kosovës. I kam 20 ndeshje. Me Kosovën U-17, ku isha kapiten, kemi arritur suksese të mëdha. Madje kam shënuar golin e fitores ndaj Zvicrës”, ka treguar Zumberi.
Ai aktualisht është pjesë e ekipit U-19 të Hamburgut. Thotë se ushtron me ekipin U-21, ndërsa luan me ekipin U-19 në Bundesligën e kësaj grupmoshe. Është kapiten edhe te U-19 i Hamburgut. Te Hamburgu edhe është zhvilluar karriera e deritashme e Zumberit. Në këtë klub ka kaluar të gjitha grupmoshat e reja. Është prej vitit 2012.
“Gjendja nuk mund të jetë më e mirë, sidomos pas ftesës nga Kosova U-21. Te Hamburgu po luaj shumë mirë. Jam kapiten. Në fakt ushtroj me U-21 e luaj aktualisht me U-19. Por shpejt do të dal te U-21. Kontratë kam deri në verë, ndërsa bisedimet kanë nisur për kontratë të re. Mbetet të shihet nëse do të arrijmë marrëveshje për kontratë të re. Ka edhe klube tjera të interesuara. Unë jam i kënaqur te Hamburgu, kam familjen këtu, por të shohim”, ka shtuar Zumberi.
Prekazi në ndeshjet e fundit ua ka dhënë rastin lojtarëve të rinj. Ka thënë se po e përgatit ekipin për ciklin e ardhshëm eliminator. Rezultatet në ndeshjet e fundit nuk kanë qenë ato të synuara.
Kosova është e katërta në grupin e tretë. I ka nëntë pikë nga tetë ndeshje. Në hapje të kampanjës fitoi 4:0 në udhëtim ndaj Andorrës dhe 3:1 në shtëpi ndaj Turqisë. Erdhën humbjen rresht nga Anglia, Shqipëria, Austria dhe sërish nga Anglia e Austria. Më 13 tetor Shpresat e Kosovës fituan 1:0 ndaj Andorrës. Tani kërkojnë suksesin më 13 nëntor prapë në Prishtinë ndaj Shqipërisë dhe në fund 17 nëntor ndaj Turqisë në Samsun.
“Fitore” tjetër do të jetë promovimi i lojtarëve të rinj, që në ciklin e ardhshëm të jetë e formuar baza e ekipit. Zumberi pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë në ciklin e ardhshëm kualifikues.
Përfaqësuesja U-21 e Kosovës për ndeshjet me Shqipërinë e Turqinë
Portierë: Florjan Smakiqi (Feronikeli), David Nreca Bisinger (Sonnehof), Ardit Nika (Flamurtari)
Mbrojtës: Albin Kapra (Ballkani), Leard Sadriu (Shkëndija), Edvin Kurtulus (Halmstad), Valon Zumberi (Hamburg), Bujar Pllana (Feronikeli), Leonat Vitija (Skënderbeu), Destan Bajselmani (PEC Zëolle)
Mesfushorë: Alban Shabani (Skënderbeu), Valon Hamdiu (Schaffhausen), Arton Zekaj (lille), Edison Kqiku (Gjilani), Qëndrim Zyba (Prishtina), Muharrem Jashari (Trepça ’89), Blend Baftiu (Ballkani), Donat Rrudhani (Aarau), Gentrit Limani (Hamburger), Diamant Berisha (Schalke), Blendi Idrizi (Schalke)
Sulmues: Alban Ajdini (Servette), Kastriot Selmani (Llapi), Florian Seferaj (Lugano), Valdrin Mustafa (Koblenz)