Klubi i futbollit Drenica nuk do të shndërrohet në shoqëri aksionare, me gjithë paralajmërimin.
“Kuqezinjtë” do të vazhdojnë të kërkojnë shpëtimin nga Komuna e Skenderajt dhe nga donatorët e këtij qyteti. Dy aksionarë, një shqiptar nga Maqedonia e Veriut dhe një gjerman, të cilët për tri javë rresht paraqiteshin si përfaqësues të kompanive të huaja dhe që donin të blinin aksionet e Drenicës, janë larguar në ditën kur duhej të nënshkruhej kontrata dhe klubi të kalonte nën menaxhimin e tyre. Kështu të paktën kanë thënë në klubin drenicas.
Ish-kryetarja e Drenicës, Mihane Kodra – Bekteshi, ka thënë të dielën për KOHËN se aksionarët potencialë janë larguar pa dhënë ndonjë arsye. Sipas saj, gjithçka ka qenë e gatshme të nënshkruhet, por në ditën vendimtare aksionarët potencialë nuk janë paraqitur fare. Ata janë lajmëruar vetëm nga Zvicra.
“Kemi pasur takime të shumta dhe jemi marrë vesh për të gjitha. Të gjitha kërkesat e tyre Komuna i ka plotësuar. Kryetari Fadil Nura ka qenë i gatshëm që 80 për qind të aksioneve t’ua jep. Kanë qenë dy persona, një shqiptar i Maqedonisë, Jetmir Memedi, dhe një gjerman, ish-lojtar i Koelnit dhe i disa klubeve të tjera. Ata janë paraqitur si përfaqësues të kompanive të huaja. Në ditën kur kemi pasur të nënshkruajmë, ata nuk janë paraqitur. Termini ka qenë në orën 9:00, kam pritur deri në orën 10:00 dhe i kam kontaktuar. Ata janë lajmëruar në mesditë. Përgjigjja e tyre ka qenë se jemi në Zvicër dhe nuk mund të vijmë për të nënshkruar. Më kanë thënë se nuk i kanë punët mirë me kompanitë atje dhe se nuk do të vijnë”, tha Kodra-Bekteshi.
Ajo thekson se personat që janë paraqitur si përfaqësues të kompanive që duan ta marrin Drenicën e kanë dëmtuar shumë klubin.
“Ata kanë filluar të na krijojnë edhe shpenzime. As 10 euro nuk i kanë dhënë për Drenicën. U kanë premtuar lojtarëve pagat dhe gjëra të tjera dhe nuk i kanë mbajtur fjalët. Ata na kanë dëmtuar shumë. Janë tri javë që kemi zhvilluar bisedime dhe takime dhe në fund kanë ikur. Gjatë gjithë kohës kanë qenë të njoftuar për gjendjen e klubit dhe borxhet. Të gjitha i kanë pranuar dhe në fund pa arsye janë larguar”, u shpreh Kodra-Bekteshi.
Ish-kryetarja, që shumë shpejt pritet të emërohet sërish në krye të Drenicës, pohon se shumë premtime nuk u realizuan. Ajo konfirmon se shpenzimet për përgatitjet në Shqipëri i ka hequr Komuna e Skenderajt.
“Lojtarët kanë shkuar në përgatitje në Shqipëri dhe të gjitha shpenzimet i ka hequr Komuna e Skenderajt, apo thënë saktë kryetari Fadil Nura dhe Sami Lushtaku. Autobusi dhe gjithçka ka qenë e caktuar, kurse në momentet e fundit ata nuk janë paraqitur, pra donatorët që donin ta merrnin klubin. Për këtë arsye është dashur që Komuna të bëjë zgjidhje të shpejtë dhe i ka dërguar në përgatitje”, nënvizoi Kodra-Bekteshi.
Deri me tani, sipas Kodra-Bekteshit, janë paguar dy paga për lojtarët dhe paga e tretë do të kryhet deri në fund të javës që po vjen.
“Në fillim kur kemi nisur të organizohemi pas gjendjes së rëndë, kur borxhi ishte rreth 600 mijë euro, ua kemi paguar një pagë lojtarëve. Pagën e dytë e kemi kryer gjatë kohës sa lojtarët kanë qenë në përgatitje në Shqipëri dhe besoj që javën që vjen do të paguhet edhe një pagë tjetër. Krejt këto falë donatorëve të Skenderajt dhe disa miqve jashtë Skenderajt, të cilët na kanë ndihmuar. Ngadalë gjendja do të rregullohet”, është e bindur shpëtimtarja e shpeshtë e Drenicës.
“Shpresa e të gjithëve është te Fadil Nura, Sami Lushtaku dhe te unë. Unë kam qenë edhe më herët në krye të klubit, dy herë. Unë po punoj çdo ditë që të gjejmë një zgjidhje dhe të mos kemi telashe. Kryesia e kaluar i ka të gjitha fajet për këtë gjendje. E kanë menaxhuar klubin tre muaj dhe janë larguar”.
Stinorin vjeshtor Drenica e mbylli në vendin e gjashtë me 23 pikë. Në fillim të kampionatit ka qenë edhe në pozitën e parë. Është në garë për Kupën e Kosovës.
Ndeshjet e 1/8 të Kupës së Kosovës do të luhen me 5 dhe 6 shkurt, kurse stinori pranveror i Superligës do të fillojë me 12 shkurt.