Sport

Zhdrella shënon gol pas një viti, synon më shumë me Dukagjinin

Mentor Zhdrella shënoi golin e vetëm për Dukagjinin, në ndeshjen që skuadra klinase e humbi nga Gjilani me rezultatin 2:1, të enjten.

Goli i shënuar nga penalltia në minutën e 59-të ishte i pari pas plot një viti për katër herë futbollistin më të mirë në Kosovë.

Mesfushori Zhdrella shpreson të realizojë më shumë gola në vazhdim të edicionit, për ta ndihmuar Dukagjinin t’i shpëtojë rënies nga elita e futbollit kosovar.

Zhdrella iu bashkua Dukagjinit gjatë janarit, ndërsa ishte pjesë e ekipit në përgatitjet që i zhvilloi në Turqi.

“Kishim paraqitje të mirë ndaj Gjilanit, por në ndeshje të tilla vendosin detajet. Ne nuk ishim të vëmendshëm në momente të caktuara, por në vazhdim besoj se ekipi do të jetë i kompletuar për shkak se kemi pasur disa mungesa shkaku i lëndimeve”, ka thënë Zhdrella të enjten për KOHËN.

Në fakt, Zhdrella është kthyer pas tetë muajsh pauzë shkaku i lëndimit. Para se t’i bashkohej Dukagjinit ishte pjesë e Llapit, kampionatin e kaluar. Sa ishte pjesë e Llapit e kishte shënuar golin e fundit pikërisht ndaj Gjilanit, më 21 shkurt të vitit të kaluar. Llapi e pati fituar takimin 3:1, ndërsa Zhdrella kishte kontribuuar edhe me një asistim.

Zhdrella pret të ketë paraqitje edhe më të mira në ndeshjet e ardhshme.

“Besoj se do të kthehemi me ndeshje të mira në vazhdim. Ka edhe shumë ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund. Nganjëherë edhe fati na ka kthyer shpinën. Me ndeshje siç e zhvilluam sot ndaj Gjilanit besoj se do të dalim fitues në fund. Shpresoj në ndeshje sa më të mira. Do të mundohemi që të dalim nga kjo krizë. Nuk do ta quaja krizë të lojës, por të rezultateve”, ka thënë Zhdrella, 33-vjeçar.

Me humbjen e pësuar të enjten, Dukagjini mbetet në pozitën e parafundit në tabelë me 18 pikë. Për Dukagjinin ishte ndeshja e tetë rresht në Superligë pa fitore. Ka regjistruar katër humbje e katër barazime gjatë kësaj serie.

Zhdrella më herët karrierë ka bërë te KEK-u, 2 Korriku, Hysi, Prishtina dhe Feronikeli. Ai ka fituar të gjitha trofetë që mund të fitohen në futbollin kosovar. Është vlerësuar për kohë të gjatë një prej mesfushorëve më të mirë në Superligë.