Njëri prej futbollistëve më të mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella i ka dhënë fund karrierës aktive.
Zhdrella, të enjten nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka marrë vendim për t’i varë këpucët në gozhdë.
Ai ka thënë se ndihet krenar me karrierën e tij 20-vjeçare, përgjatë të cilës nuk i kanë munguar sukseset. Madje, ai është futbollisti i vetëm në Kosovë që e ka fituar katër herë çmimin e lojtarit më të mirë të vitit.
Zhdrella e nisi karrierën dhe e mbylli te skuadra e 2 Korrikut. Ai gjithashtu ka luajtur edhe te Prishtina, Hysi, Drita, Feronikeli, Llapi, Dukagjini dhe KEK-u. Po ashtu, ai ka luajtur edhe për Kosovën.
“Të dashur miq Çdo fillim e ka fundin e vetë, edhe karrierës time si futbollist i erdhi fundi.
“Ndihem jashtëzakonisht i lumtur sepse kam arritur ëndrrën time për të luajtur sportin që dua. Ai më dha disa nga momentet më të mira të jetës sime, më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe suksese. Ndjej kënaqësi të jashtëzakonshme kur kthej kokën mbrapa dhe shikoj atë çfarë kam bërë në futboll në këto 20 vite të kaluara, ku kam bërë shoqëri fantastike dhe shumë trofe të fituara si dhe suksese individuale të arritura” ka shkruar shkruar ndër të tjera Zhdrella.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës sime, të gjithë trajnerët, klubet ku kam luajtur, të gjithë bashkëlojtarët, fansat, anëtarët e familjes dhe miqtë”.