Zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, ka dënuar dhunën në ndeshjen e Superkupës në basketboll mes Trepçës dhe Pejës. E lënduar gjatë incidenteve të shumta ishte edhe gazetarja Ulpiana Emra.
Përmes një postimi në “facebook”, zëvendësministrja Osmani ka shkruar se gjuha dhe sjellja e urrejtjes nuk duhet të gjejnë vend në sportin kosovar.
Ajo ka paralajmëruar ndalimin e tifozëve në palestra.
“Federata e Basketbollit të Kosovës duhet të ndërmarr masa të rrepta për parandalimin e përsëritjes së situatave të tilla. Nëse përgjigjja është ndalimi i tifozëve në palestra sportive, atëherë do të obligohemi të ndërmarrim diçka të tillë për këtë sezon të re në basketboll. Duhet të kuptojmë, se sjelljet e tilla po e dëmtojnë imazhin e sportit si përbrenda vendit, po aq dhe jashtë vendit. Nuk ka asnjë fitues në këtë mes. Ndërsa dëmi është i përbashkët. Për këtë, ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi pranë organeve të rendit”, ka shkruar Daulina Osmani.