Sport

Zenelin e ka befasuar kthimi i fuqishëm

Në mes të korrikut të vitit të kaluar, Arbër Zeneli e kishte luajtur ndeshjen e fundit me ekipin e parë të klubit francez Reims. Kishte pësuar një lëndim të gjurit dhe kishte munguar në gjithë pjesën e dytë të vitit të kaluar.

Para një jave reprezentuesi i Kosovës luajti me ekipin e dytë të Reimsit. Të dielën e fitoi rastin me ekipin e parë, në ndeshjen kampionale ndaj Monacos. Kur hyri në lojë në minutën e 80-të, Reimsi po pësonte 1:0. Por Zeneli nxiti rikthimin e madh të Reimsit.

Një aksion në të cilin ishte i përfshirë sulmuesi kosovar i krahut, “prodhoi” autogol për rezultatin 1:1. Zeneli harkoi ndërsa Kevin Volland e dërgoi topin në rrjetën e tij. Ndodhi kjo në minutën e 84-t.

Kjo sikur u dha zemër lojtarëve të Reimsit. Në minutën e 92-të, Zeneli bëri asistim mjeshtëror për Nathanael Mbuku që shënoi golin e fitores 2:1.

Një rikthim kaq i fuqishëm i Zenelit i ka gëzuar tifozët e skuadrës. Disa mund t’i ketë befasuar, ashtu si vetë Zenelin.

“Plani ishte që të hyj në fushë, të luaj pak dhe të ambientohem pas rikthimit. Ideja ishte që ta ndiej lojën, intensitetin e lojës. Por nuk e kam pritur që loja do të ketë një rrjedhë të tillë, që do të kem aq shumë sukses. Natyrisht më gëzon fitorja e skuadrës, por edhe paraqitja ime”, ka thënë Zeneli të dielën mbrëma për KOHËN.

Qëndrimi jashtë fushës për kohë kaq të gjatë nuk ishte i lehtë për Zenelin. Ai pranon se i ka munguar shumë futbolli, por qëllimi ishte rikuperimi i plotë dhe kthimi i suksesshëm. Të dielën ka dhënë sinjalet e duhura për këtë.

“Jam ndier shumë mirë. Të shohim se si do të shkojnë ndeshjet e ardhshme. Shpresoj të shkojnë sa më mirë dhe të shfaq nivelin që kam. Nëse ndeshjet e ardhshme shkojnë mirë, atëherë do të jem me Kosovën në miqësoret e muajit të ardhshëm”, ka thënë Zeneli.

Për Reimsin, fitorja e së dielës ishte e rëndësishme. Skuadra ka bërë hap të madh për t’u larguar nga zona e rrezikshme. Ka 31 pikë në pozitën e 13-të.

Për shkak të lëndimit kësaj skuadre ende po i mungon Valon Berisha, një tjetër lojtar i rëndësishëm i Kosovës.